Ndonëse është shkruar dekada më parë, në thelb ajo është shumë e ngjashme me realitetin ku jetojmë çdo ditë! Komedia "Revizori", ndërton ngjarjet mbi një kryebashkiak të korruptuar dhe një administratë që e ndjek. Një pasqyrë kjo tek e cila ndoshta shumë prej nesh shohin veten çdo ditë kur trokasin në dyert e administratave për probleme nga më të ndryshmet.
Regjisorja e mirënjohur Driada Dervishi e ngjit në skenën e "Arturbina" nga nesër e deri në fundjavë këtë shfaqje. Satira, komikja, realiteti i hidhur, të gjitha "shijet" përzihen bashkë në këtë kryevepër teatrale që do ju mbajë të ngërthyer pas ngjarjeve dhe lojës aktoreske që interpretohet nga një kastë artistësh të njohur, si Gentian Zenelaj në rolin e kryebashkiakut të korruptuar, Amos Muji Zaharia, Besmir Bitraku, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doçi, Jaho Guma dhe Erion Hodo. Ndërsa, muzika është realizuar nga kompozitori Haig Zacharian dhe koreografia nga Elton Cefa.
"Revizori" është shkruar nga shkrimtari i madh rus Nikolai Gogol. Ai është cilësuar si babai i realizmit rus dhe prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasur parasysh dhe natyralizmin e asaj kohe. Ai qëllimisht gërsheton burleskun me një fabul të jetës së përditshme, që u flet vazhdimisht njerëzve. Kjo komedi vjen sot si një domethënie e ngjarjeve të përditshme. Ironia, keqkuptimi dhe situata komike përbëjnë thelbin e “Revizorit”. Subjekti është mjaft lexueshëm, që flet mbi korrupsionin dhe kalbësinë e një sistemi të tërë dhe duket kaq i prekshëm dhe aktual!