Le ta pranojmë. Edhe në ato raste kur ne bëjmë një punë të cilën e adhurojmë, ka ditë që ndihemi shumë të lodhur dhe pa asnjë grimcë motivimi. Sipas Monitor, lajmi i mirë në këtë drejtim është se ekzistojnë shumë mënyra, të cilat ndikojnë që ne të mos e humbim motivimin tonë edhe gjatë ditëve më të ngarkuara. Ja se cilat janë disa prej tyre:

Dita e mirë shihet që në mëngjes

“Dita e mirë shihet që në agim”, është një shprehje shumë e njohur popullore, e cila gjen vërtetësi edhe në rastin tonë. Fillojeni ditën më një mëngjes të mirë, i cili ndikon në mbajtjen e mendjes dhe trupit në formë gjatë vazhdimit të ditës suaj. Nëse ngriheni herët në mëngjes, merruni me aktivitet fizik, bëni vrap dhe nëse nuk keni mundësi atëherë bëni disa ushtrime të thjeshta.

Dëgjoni disa prej këngëve tuaja të preferuara

Ky është një fakt i vërtetuar: Muzika ndikon në gjendjen tonë emocionale, prandaj niseni ditën duke dëgjuar disa prej këngëve tuaja më të preferuara dhe do ta shikoni që do të ndiheni menjëherë më mirë. Një proces të tillë vazhdojeni edhe gjatë orarit të punës suaj (nëse gjithmonë vendi juaj i punës jua lejon).

Jepni vetes kohë për t’u marrë me diçka të cilën e pëlqeni vërtet

Jepini vetes kohë për t’u marrë me diçka që e pëlqeni vërtet dhe e cila ju bën të ndiheni mirë. Pini kafen tuaj të mëngjesit duke lexuar një artikull që ju duket interest, ose merruni me një aktivitet i cili ju relakson. Mundohuni që të vendosni një ekuilibër sa më të mirë ndërmjet jetës suaj profesionale dhe asaj personale.

Organizojeni ditën e punës duke u bazuar tek çështjet prioritare

Nëse i dini projektet që keni për të bërë gjatë një dite punë, atëhere kjo gjë do t’ju vijë shumë në ndihmë për t’i organizuar ato sipas prioriteteve. Nëse përfundoni një prej detyrave më të vështira që në fillim të ditës së punës, do të ndiheni sikur i keni hequr vetes një peshë të madhe nga shpatullat dhe do ta keni më të lehtë për të vazhdur me detyrat e tjera që ju presin.

Qëndroni aktiv dhe të hidratuar

Një prej gjërave më të rëndëishme që ju duhet të bëni gjatë një dite pune është që të mos qendroni të ulur gjatë 8-orarëshit të punës përpara kompjuterit dhe të mos lëvizni fare. Nëse keni për të bërë disa telefonata, ne ju këshillojmë që t’i bëni ato duke shëtitur në ambientet rreth e qark punës suaj. Mos e delegoni çdo punë nëpërmjet e-maileve. Shkoni dhe takojini vetë kolegët tuaj. Dhe mos harroni të pini ujë. Në tavolinën tuaj të punës, nuk duhet të mungojë asnjëherë një shishe me ujë.