Një mësuese spanjolle ka përdorur mënyrën më unike deri më tani për t’u mësuar nxënësve të saj anatominë e trupit të njeriut. Ajo ka veshur një kostum i cili tregon në mënyrë të dukshme pjesët e brendshme të trupit. Interesante apo jo!

Kjo është María Teresa Íñigo de Toro, mësuesja nga Spanja e cila tashmë është bërë shembull dhe frymëzim për njerëzit e botës së mësimdhënies. Për t’ua mësuar më lehtë anatominë e trupit nxënësve të saj, ajo një ditë ka shkuar në klasë e veshur me këtë kostum që patë në foton më sipër. Shihet që kostumi tregon në mënyrë shumë të qartë të gjitha pjesët e trupit të njeriut. Pozicioni i mushkërive, stomakut, mëlçisë, zorrëve, muskujve… me siguri është përçuar tashmë më lehtë në kujtesën e nxënësve të klasës së tretë të një shkolle në Vajadolid të Spanjës.

Bashkëshorti i mësueses shpërndau në Twitter fotot nga një orë mësimi, foto që u bënë menjëherë virale. “Jam shumë krenar për gruan time që e kam vullkan idesh. Sot shpjegoi trupin e njeriut në një mënyrë shumë origjinale. Dhe fëmijët që nuk i mbante vendi. Je e madhe Veronica”,- shkruan bashkëshorti i mësueses.

Vetë mësuesja ka thënë për mediat spanjolle se nuk e priste aspak që të bëhej kaq e famshme. “E gjeta kostumin në Aliexpress dhe thashë pse mos ta provoj për të dhënë mësim”,- thekson Veronica. "Më dukej një ide e mirë"- shtoi ajo. "Unë e kam mbajtur kostumin në dollap derisa duhej ta jepja këtë temë të hënën në klasën e natyrës",- ka thënë ajo duke shtuar se prezantimi ishte interesant edhe për shkak të befasisë që kanë treguar fëmijët./Portalishkollor/