Në muajin nëntor, filmi “Ndërkombëtarët’ filloi të shfaqej në kinema dhe ashtu siç pritej, impakti te njerëzit ishte i madh. Filmi që është një prodhim shqiptar i regjisorit Pluton Vasi, bazuar në romanin “Rrëfenjë me ndërkombëtarët” të Ylljet Aliçkës, ka nisur rrugën drejt suksesit. Producentja Vjollca Dedei ka bërë të ditur në rrjetet sociale se filmi është nominuar në tri kategori në London International Film Festival 2020.

“Ndërkombëtarët” garon për çmimet:

Skenari më i mirë

Regjia më e mirë

Filmi më i mirë në gjuhë të huaj

“Filmi artistik ‘Ndërkombëtarët/An Expat's Tale’ me regji të Pluton Vasit fillon rrugëtimin e tij në festivale. Është nominuar në tre kategori kryesore: skenari më i mirë, regjia më e mirë dhe filmi më i mirë në gjuhë të huaj, në London International Film Festival 2020. I qoftë udha e mbarë dhe faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve”, -ka shkruar në profilin e saj në Facebook, Vjollca Dedei.

Në rol protagonist është Eni Shehu, i cili interpreton Roshin - një djalë i ri që ka thurur ëndrra për perëndimin, por përballja me ndërkombëtarët rezulton të jetë shumë larg asaj që kishte menduar. Roshi fillon punë si përfaqësues i marrëdhënieve me publikun dhe shtypin shikon nga afër prapaskenat dhe abuzimin e të huajve me shqiptarët.

Në role të tjera interpretojnë edhe: Adele Gjoka, Hervin Çuli, Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, Eriona Kakeli etj.

Tanimë në kinema ‘Ndërkombëtarët’, një prodhim shqiptar që nuk duhet humbur