Humbja e një artisti kalibri siç ishte i ndjeri Xhevdet Ferri ka lënë pas shumë zbrazëti! Në radhët e kolosëve të kinemasë shqiptare, të familjarëve, të miqve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë, të atyre që e ndoqën dhe adhuruan pas çdo roli protagonist dhe personazhi si pak të tjerë, ai do të mbetet i pazëvendësueshëm!
Ikona e artit, u nda para kohe nga jeta, në moshën 59-vjeçare pas një sëmundje të rëndë pulmonare që rezultoi fatale për shëndetin dhe jetën e tij! Xhoda siç e njihnin dhe thërrisnin miqtë e tij më të ngushtë u përcoll sot në banesën e fundit. Pa bujë, pa homazhe dhe ceremoni zyrtare.
Sepse ky ishte amaneti i tij i fundit! Ai vetë nuk ka dashur që të përcillet për në banesën e fundit nga institucionet shtetërore, por përmes një ceremonie intime dhe familjare mes njerëzve më të afërt të tij.
Kështu janë kolosët...Ata ikin në heshtje, sepse "zhurma" e tyre më e madhe do të vijojë të kumbojë artistikisht ndër breza dhe dekada përmes filmave, roleve dhe personazheve të patjetërsueshëm që i madhi Xhevdet Ferri i ka lënë pas, si pasurinë më të çmuar të kinemasë dhe artit shqiptar!