Prej shumë kohësh, Albana Osmanin nuk e kemi parë të drejtojë më asnjë emision në ekran. Moderatorja ka zgjedhur të shkëputet për disa kohë nga televizioni, për t’u rikthyer me një projekt të ideuar nga vetë ajo. E ftuar në emisionin “3shat”, Albana ka zbuluar pak nga projekti me të cilin planifikon të rikthehet, edhe pse ende nuk është përcaktuar ende televizioni ku do ta shohim.

“Jo, [nuk jam shkëputur përfundimisht nga ekrani]. Është e pamundur, sepse është më shumë sesa thjesht një pasion. Është më shumë sesa një profesion në të cilin u gjenda rastësisht... Kam marrë një vendim për t’u shkëputur... E rëndësishme është që në jetë të gjitha dyert i kam gjetur të hapura dhe i kam lënë sërish të hapura. Po shpresoj dhe po planifikoj të rikthehem shumë shpejt. Formati me të cilin unë po planifikoj të kthehem, pa dashur të zbuloj shumë, do përfshijë gjithë familjen. Të paktën është një projekt, të cilin unë e kam shkruar, e kam mbrojtur dhe po shoh kushtet se cili do të jetë ekrani që do ta dashurojë më fort”, -është shprehur ajo.

Albana nuk ka dashur të zbulojë më shumë, por ka shtuar se do ta prezantojë e vetme projektin e ri. Mbetet për t’u parë se ku do të marrë jetë projekti i moderatores, të cilën jemi mësuar ta shohim gjithmonë në ekranin e Top Channel.