Dashuria nuk është turp dhe kjo nuk është më klishe. Këtë, natyrisht, e thonë shumë personazhe, por janë vërtet pak ata që e besojnë dhe jetojnë duke e mbajtur kokën lart kur dashurojnë. Rudina Dembacaj është një prej tyre…  

Aktorja e njohur, sapo ka mbyllur një tur tjetër shfaqjesh të komedisë “Boing Boing”, ka një program të suksesshëm “Mos i fol shoferit”, ka hapur një biznes së bashku me partnerin e saj, por ka edhe plane të reja në fillim të këtij viti. Një pjesë të tyre aktorja i bëri publike pasditen e sotme nga “Rudina”, pa “shpëtuar” as nga lajmet e fundit për lidhjen e saj të re të dashurisë.

Pak muaj më parë, divorci i Rudinës dhe ish-bashkëshortit të saj, Aleksit, u komentua gjatë në media e portale. Rudina vendosi ta pranojë publikisht ndarjen nga Aleksi, por edhe të pranojë gjithashtu se ata të dy do të vazhdojnë të jenë bashkë në çdo moment të rëndësishëm të vajzës së tyre, Viktoria.

Asnjë ndarje nuk është e lehtë, sidomos kur ka në mes një fëmijë. Ne krijuam një familje me shumë ëndrra. Por nuk kemi mentalitetin e prindërve tanë. Vendosëm të divorcoheshim, pasi kuptuam se marrëdhënia nuk po funksiononte, çifti nuk po funksiononte…”, – tha Rudina duke theksuar se si dy të rritur, ajo dhe Aleksi kanë marrë edhe ndihmë të specializuar te psikologu për t’ia sqaruar situatën e ndarjes vajzës së tyre, në mënyrë që ajo të mos ndiente asnjë trishtim nga kjo ndarje: “Kemi marrë ndihmë të specializuar se si t’ia shpjegonim asaj këtë, nga psikologë. Jemi shumë krenarë të dy që viki është një fëmijë shumë i lumtur. Viktoria nuk ka ndier absolutisht asgjë, as mungesën, asnjë ditë trishtim. Ajo është edhe me babin, edhe me mamin. Në momentet e saj më të rëndësishme jemi të dy”,- tha aktorja për “Rudina”.

Por nuk zgjati shumë kohë nga ndarja dhe Rudina vërtetoi edhe zërat e kohëve të fundit: mes saj dhe ish-deputetit Mark Frroku kishte nisur një lidhje e konsoliduar. Megjithëse nën zë lajmi ishte mësuar, Rudina nuk e zgjati edhe këtë herë për ta pranuar publikisht. Ndryshe nga të gjitha herët kur kishte për të lajmëruar diçka të rëndësishme, këtë herë Rudina zgjodhi t’i mbyllte komentet në çastin që në profilin e saj postoi një foto me Frrokun duke e bërë zyrtare kështu dashurinë e saj të re.

“Në momentin që kam vendosur të kem jetën time, vendimet për të ardhmen më takojnë vetëm mua dhe nuk me interesojnë fare komentet, sepse ka një lloj manie për të sulmuar dhe për të nxjerrë më të keqen mundshme në rrjet…”

Po si u njoh Rudina me Markun dhe kur vendosi ta pranojë këtë lidhje edhe publikisht? Siç rrëfeu aktorja, ajo dhe Marku njiheshin prej vitesh, por afrimiteti ishte më intensiv pas humbjes së bashkëshortes së ish-deputetit. Fati e deshi që ata të dy të kishin më shumë kontakte me njëri-tjetrin, për shkak të projektit të biznesit, i cili kishte nisur prej pothuaj një viti tashmë.

Unë dhe Marku bëmë një udhëtim jashtë shtetit dhe unë e kapa veten duke ulur kokën në aeropot. Nuk ia lejova vetes këtë, nuk kam pse ta fsheh dashurinë. Fati e deshi që unë të gjeja një njeri të mrekullueshëm. Nuk kam pse ta fsheh…”,– tha aktorja.  

Marku ka humbur bashkëshorten para një viti e gjysmë. Pas kësaj humbjeje, ishte edhe një situatë delikate për jetën e tij. Unë nuk kam çfarë të fsheh nga natyra ime. Unë kam shumë dëshirë t’i shijoj gjërat sipas mënyrës sime…” ,– shtoi Rudina duke u dhënë fund kështu një herë e mirë edhe zërave për raportin e saj me ish-deputetin.

Nëse në të ardhmen do të ketë një martesë, Rudina nuk e përjashtoi këtë mundësi, përkundrazi: "Sigurisht që do të martohemi…” – tha ajo, por ende nuk kanë diskutuar pa fund për këtë. Për momentin janë shumë të angazhuar me projektet e tyre veçmas, ashtu si edhe tek biznesi i tyre i përbashkët.

Ne po shijojmë dashurinë… Marku është verior dhe te Marku kam gjetur të gjitha vetitë e burrnisë që ka babi im. Te familja e Markut kam gjetur një shok shumë të mirë, me të cilin bëj shumë humor, një partner shumë bashkëpunues. Ca të them, kam rënë brenda… Kam zgjedhur të bëj jetën që dua...