Gjendesha e shtrirë në cepin e preferuar të apartamentit tim, aty prej nga ku më ndodh të survejoj vazhdimisht debate të nxehta virtuale. Strukur mbi kolltukun e rehatshëm, ndesha në një diskutim të ethshëm me komente fshikulluese.
Moderatorja Bieta Sulo kish’ thënë në studion e emisionit të saj se Beyonce ishte e shëndoshë e kështu njerëzia ndihej e fyer, e revoltuar dhe marrëzisht e prekur nga një deklaratë e tmerrshme si e saj. Rrufita mirë e mirë çajin tim dietik dhe pas disa gllënjkave nisa të mendoja me qetësi.
Paradoksale! Nga njëra anë predikohet mendësia se çdo formë trupore është e adhurueshme në llojin e saj, por nga ana tjetër reflektohet një histerizëm i pashpjegueshëm ndaj konstatimit “e shëndoshë”. Si pjesë e medias së shkruar u bë kohë që ndihem e mbytur, e frenuar dhe e sfilitur nga terma si: paragjykim apo seksizëm. Mjaft së etiketuari frikshëm çdo deklaratë të mundshme. Kam shkruar një djall e gjysmë artikuj duke u treguar vigjilente për të përdorur gjithfarë cilësimesh nga “e kolme” te “në super formë” për gra që në të vërtetë kam menduar “sa shumë kanë shtuar këto kohë”.
Një Zot e di sa herë i kam ndrydhur mendimet e mia për t’u ndjerë e pranueshme duke pëlqyer hiprokrizisht trupa që personalisht mendoj se duhet të konsumojnë më pak yndyrna dhe të vrapojnë më shumë. Për shëndetin e tyre, për hir të jetëgjatësisë!
Kushedi sa biseda gazetaresh të reja ka ndodhur të më bien në vesh, teksa i hapin zemrën njëra-tjetrës gjatë pushimit të drekës për të thënë se do donin ta hiqnin qafe një orë e më parë atë “dreq barku”. Vajza që fill pas kësaj, para se të shkojnë pranë tastierës, nxitojnë të venë maskën e përditshme për të shkruar më pas gjerë e gjatë se duhet ta pëlqejmë veten doemos ashtu siç jemi. E shpifur! Shtirje, fasadë, quajeni ç’të doni.
Redaktore, shefe apo pronare mediash që u rikujtojnë vartësve të tregohen pa komplekse e të ndalojnë kategorikisht përdorimin e fjalëve “mbipeshë, e shëndoshë”, fjalë që të prishin punë e të ulin klikime, ndërkohë që vetë nxitojnë të përpijnë drekën e tyre dietike.
Dëgjon lart e poshtë dëngla pro-dhjamit nga njerëz që nëse një ditë të bukur llamba e Aladinit do t’u binte në duar, e di me siguri se do t’i kërkonin xhindit vetëm një dëshirë, t’u hiqte ca kile të mira!
Grua e shëndoshë- nuk e di kur ka qenë hera e fundit që kam lexuar një togfjalësh të tillë. Po duan ta mbulojnë me harresë, ta zhdukin me çdo kusht një mbiemër të shqipfolësve. Bashkë me të jemi të dënuar moralisht të mos përdorim termat mbi apo nën peshë. Të marrësh guximin të shkruash “një X person publik mbipeshë”? Mos e dhëntë perëndia! Mendoj se të quash dikë mbipeshë nuk është fyese. S’mund të jetë, s’duhet të jetë. Fundja a nuk është kjo ajo që po përpiqeni të na thoni, se s’ka asgjë që s’shkon me disa kile më tepër! Çfarë ka që nuk shkon me “e shëndoshë”, “e shkurtër”, “shumë e gjatë”?
Përpiqemi në dukje të sillemi sikur diç po ofrojmë, në dukje një botë më të lirë e pa komplekse, pa kuptuar (pa dashur të kuptojmë) se një pjesë dërrmuese po u shtrydhim dhe mbajmë peng mendimet. Druhesh të deklarosh publikisht se ke një dobësi për belin e hollë apo vithet e kërcyera sepse kryqëzohesh nga mbarë opinioni që zgjedh të përqafojë lehtësisht mendime të përgjithshme, nga turma që vështirë se mendon me kokën e saj apo më mirë nga masa e gjerë që hipnotizohet lehtësisht dhe i thuhet të mendojë kështu, se kjo është e drejta absolute dhe se çdo mendim që paraqitet i ndryshëm apo në kundërshtim me të është i gabuar.
Personalisht mendoj se golfi është perfekt për vajzat me gjoks të madh, kurse pantallonat e gjera për një grua të gjatë e të hollë. Zgjedh t’i përdor të gjitha mbiemrat e lartpërmendur pa kurrëfarë ndrojtje; kërkoj të ndihem e lirë! Në fund të fundit kjo është e bukura për mua, kështu e shoh unë.
Më lejoni të paraqes një anologji për të më kuptuar drejt. Situata në fjalë është porsi artikujt “Të veshurit më keq në një mbrëmje gala”, që publikohen me intesitet në portalet shqiptare, sidomos në rastet e eventeve të mëdha dhe ngjarjeve me rëndësi të veçantë. Kushedi sa e sa herë më kanë joshur fustane të renditura në listat e më pak të preferuarave, ndonëse stilistë apo specialistë të fushës kanë gjykuar se nuk ishin aty ku duhej. Diçka e ngjashme ndodhi në “Ftesë në pesë”, një stiliste tha se sipas saj, kilet e shtuara të Beyonce-s dhe materiali i përzgjedhur stononin, se ndoshta po të ishte ajo në vend të Valdrin Sahitit do t’i kishte sugjeruar artistes diçka tjetër. Nuk pajtohem me të, por zgjedh të mos i hakërrehem.
Ç’bënë njerëzit? Iu hodhën në grykë. Pse duhet? Sepse nuk mendon si unë? A nuk jemi ne lëvruesit e mendimit të lirë? Dyfish e padrejtë! Bieta Sulo nuk bëri mëkat në emision e saj! Ajo nuk është një mëkatare! Një person i fushës që mendon se sateni derdhet më bukur në një trup të imët (kjo deklaratë s’mund të konsiderohet kurrsesi gafë), dhe po kështu një individ, një grua që shpreh përballë kamerës mendimin e saj të lirë. Njësoj siç shpreheni kafeneve, kur thoni se koleges nuk i shkonte fare fundi me pala në festën e punës ose kur këshilloni mamanë/motrën të bëjë këtë apo atë zgjedhje në dasmën e gushtit.
E bukura përshfaqet dhe konceptohet në trajta të gjithfarëllojshme, për dikë më trashaluqe, për një tjetër më imcake. Preferoj mos të përbuz preferencat e të tjerëve, por refuzoj të përvetësoj patjetër shijet e tyre. Shpeshherë mendoj se po përpiqen të shfarosin standardet e shkuara të bukurisë për të ngulitur disa të tjera, nën kamuflimin “për një botë pa komplekse”.