“Ringjallja e erosit” është një hulumtim i thellë psikologjik, kulturor e antropologjik rreth venitjes së erosit dhe mënyrave të ndryshme për ta bërë atë sërish pjesë të jetës sonë të përditshme.

Informacion i përgjithshëm rreth librit Në librin e saj “Ringjallja e erosit”, Esther Perel merr në shqyrtim çështje të vështira, përballet me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi ynë për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Ajo na fton të eksplorojmë bashkimin paradoksal të përditshmërisë me dëshirën seksuale dhe shpjegon se ç’duhet bërë që epshi të bëhet sërish pjesë e jetës sonë.

Gjatë punës së saj thuajse 35-vjeçare si terapiste çiftesh, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit. Ata vërtet duhen dhe janë të hapur me njëri-tjetrin, por sensualiteti iu është venitur. E pra, ç’po ndodh e ç’duhet bërë në këto raste?

Në këtë libër thellësisht origjinal, Perel-i shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë. Poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte dhe nuk zbaton asnjëherë rregullat e imponuara nga shoqëria. Ajo lulëzon përmes lojërave të pushtetit, përfitimeve të padrejta dhe në hapësirën ndërmjet vetes dhe tjetrit. Seksi mund të jetë vërtet ngazëllues, lojcak, madje dhe poetik, por së pari duhet të nxjerrim nga dhoma e gjumit idealin e barazisë dhe emocionet familjare.

Nga njëra anë, libri tregon se përse rutina e përditshme e mbyt pasionin dhe i bën çiftet të ndihen si në kafaz, nga ana tjetër, me vizionin e saj, Esther Perel-i, synon t’i çlirojë, t’i joshë e t’i provokojë ato.

Është libër i jashtëzakonshëm, ku shkrihen maturia, humori, thjeshtësia; libër që hedh dritë mbi një mori ndjesish, të cilat do ta shndërrojnë mënyrën se si jetojmë dhe dashurojmë.

Kritika

“Ringjallja e erosit” i kundërvihet haptas njërit prej institucioneve më të nderuara të të gjitha kohërave të historisë njerëzore: martesës pa seks [...]

                                                                                                                                 The New Yorker

"Pyetja nëse ekziston seksi pas martesës, është po aq e rëndë sa pyetja a ekziston jeta pas vdekjes dhe barrën e saj mund ta matësh nga niveli i shqetësimit që mund të shkaktojë ajo edhe në një darkë gazmore. Kësaj pyetjeje, mundohet t’i japë përgjigje Esther Perel-i.

                                                                                                                                  The Guardian

Pereli i vendos vulën fantazisë dhe lojës dhe u ofron çifteve të ditëve të sotme një përvojë të pasur dhe unike.

                                                                                                                                 Publishers Weekly

Një studim elegant sociologjik, i plotësuar me referenca të shumta letrare dhe antropologjike.

                                                                                                                                  Daily Telegraph

Autorja

Esther Perel është një prej psikoterapisteve dhe autorëve më të shitur të New York Times-it. Sot për sot, ajo është një prej zërave më të thellë dhe më origjinalë në trajtimin e marrëdhënieve në çift. Ajo flet rrjedhshëm nëntë gjuhë, drejton një studio terapeutike në Nju Jork, si dhe është këshilluese organizative për qindra kompani në botë. Ka marrë pjesë në dy biseda të Ted Talks dhe fjalimet e saj janë ndjekur nga më shumë se 30 milionë shikues. Dy librat e saj “As të parët, as të fundit” dhe “Ringjallja e erosit” (të dy sjellë në gjuhën shqipe nga Botime Pegi) janë përkthyer në më shume se 30 gjuhë.

Gjithashtu, ajo është producente dhe zëri rrëfyes i Serisë së librave audio Where Should We Begin? dhe How’s Work?.

Kushdo që është i interesuar për më shumë informacion, mund ta ndjekë Esther Perel-in në faqen e saj në Instagram @EstherPerelOfficial ose në faqen e saj EstherPerel.com.

Fragmente nga libri

1) Kur duhemi, na lumturon ideja që dimë gjithçka për njëri-tjetrin. Por dëshira ka nevojë për mister. Dashuria e ngushton hapësirën që ekziston mes partnerëve, ndërsa misteri e nxit dëshirën. Ndërkohë që rutina e bën intimitetin më të fortë, krejt e kundërta mund të thuhet për erotizmin. Ai lulëzon kur ka elemente misterioze, të reja dhe të papritura. Dashuri do të thotë ta kesh tënden diçka, dëshirë do të thotë të duash ta bësh tënden. Në dashuri njeriu kërkon diçka të kapshme, ndërsa dëshira lidhet me diçka të pakapshme. Ne na intereson më shumë pasioni që do ta karakterizojë dëshirën në të ardhmen, sesa si ka qenë ajo në fillimet e saj. Por teksa çiftet mësohen me rehatinë që u fal dashuria, shpesh harrojnë ta ndezin flakën e dëshirës, madje harrojnë se zjarri ka nevojë për ajër.

Ne e përdorim intimitetin për të mos u ndier të vetmuar, mirëpo për të krijuar distancën e nevojshme për erotizmin, duhet të heqim dorë nga rehatia që na ofron partneri ynë dhe të pranojmë të ndihemi më të vetmuar. Aftësia jonë për ta pranuar këtë distancë dhe mungesën e sigurisë që sjell ajo, është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e dëshirës dhe të interesit që ekziston në çift.

3) Por poetika e seksit del shpesh nga kornizat e të qenit korrekte, sepse ajo lulëzon kur partnerët luajnë për pushtet, kur rolet përmbysen, kur ka pabarazi, kërkesa autoritare, manipulime me anë të joshjes dhe mizori të rafinuara.

4) Por erotizmi ka si synim pikërisht daljen nga vetja. Kur bëhet fjalë për erosin, ne shkelim mbi tabutë kulturore. Ato norma që i respektojmë me aq zell gjatë ditës, janë pikërisht ato që na pëlqen t’i shkelim gjatë natës. Kjo shërben si njëfarë hapësire në të cilën mund të luajmë mjaft lehtë me tabutë tona. Imagjinata erotike ka fuqinë për të shkuar përtej arsyes, përtej rregullave dhe pengesave shoqërore.

5) Fantazitë janë si pasqyrat. I mbajmë para vetes për të parë se çfarë ka mbrapa. Kësisoj, arrijmë të shohim imazhe të vetvetes, të cilat do ta kishim të pamundur t’i shihnim. Kur angazhohemi në një lidhje, ne e këmbejmë lirinë tonë me sigurinë; kurse erotizmi na hap rrugën e rikthimit drejt kësaj lirie. Imagjinata na lejon që t’i durojmë kufijtë e realitetit.

6) Degradimi i ndjenjës së romantizmit dhe venitja e dëshirës nuk ndodhin për shkak të ndotjes së dashurisë nga agresiviteti, por për shkak të paaftësisë për të ruajtur tensionin e nevojshëm mes këtyre të dyjave.

7) Arsyeja pse është e vështirë që dëshira të mbahet gjallë për një kohë të gjatë lidhet me faktin se kemi të bëjmë me dy forca të kundërta: lirinë dhe përkushtimin. Pra, nuk është vetëm një problem psikologjik apo praktik, por është edhe një problem sistemor. Dhe kjo e bën më të vështirë për ta trajtuar. Ky problem i përket asaj kategorie dilemash ekzistenciale, që janë sa të pazgjidhshme, po aq edhe të pashmangshme.

Titulli: Ringjallja e erosit

Titulli në origjinal: Mating in captivity

Autori: Esther Perel

Përktheu: Erdi Ibro

Zhanri: Libra udhëzues

Data e botimit: shkurt, 2020

Numri i faqeve: 292

Çmimi: 1000 lekë