
Nganjëherë përditshmëria na detyron të kërkojmë gjithfarë arratisjesh për t'iu larguar telasheve e për të ankoruar shpirtin në Kepin e Shpresës së Mirë, pas detit të trazuar. Nëse shpirti yt I përket epokës së shkuar, ku arti e elegance ishin kryefjala e jeta rridhte si tingujt e violave dhe notat e pianos, mbase meriton një kthim pas në kohë, tanimë dhe në Tiranën moderne.
Të qënit një shpirt i lirë e i vjetër, adhurues i muzikës klasike dhe artit të vërtetë, me ëndrrën e zellshme për të përjetuar magjinë e valësit, misterin e të panjohurës, dridhërimat e dashurisë dhe mungesën e frikës për të qënë vetja pa u gjykuar nga askush, nuk është gjithnjë e lehtë. Asnjëherë nuk ka qënë!
Një ballo me maskat më të bukura, me personazhe të cilët fshehin pas shkëlqimit, punës së bukur artizanale, puplave të këndshme e gurëve vezullues pritet të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në Pallatin Madhështor Presidencial. Sa e sa shpirtra romantic duan të fshihen pas një maske të bukur, për të humbur për disa orë identitetin e për t’u ndjerë vetja? Mbase aq mjafton për të ndjerë magjinë: sytë xixëllues me të cilët mund të dashurohesh, i vetmi tipar i pagabueshëm, i lidhur drejpërdrejtë me ëmbëlsinë e shpirtit; shumë mister e guxim për t’u prezantuar me të panjohurën; një vals me lirinë; e zbukurimi me kostumet më të bukura mondane, pa frikën e pushtimit nga vaniteti i panevojshëm, i cili mund të të helmojë gjakun.

Kjo mbrëmje elegante, e cila do përfundojë me rënien e këmbanave kur akrepat puthin njëri-tjetrin në dymbëdhjetë, do të hapi dyert e botës së përrallave, mbase do të kujtojë Anna Kareninën dhe Alexey Vronxy, për më pasionantët apo Margaritën e dashur të Armandit, në autobiografinë “Zonja me Kamelie”, për më ëndërrimtarët. Me siguri do të duket se povallëzon nga njëra pikturë e Luigi Marta në një tjetër të Victor Gabriel Gilbert. Me zemrën kapërcyese ngaValsi i Shostakovich, në atë Sentimental të Tchaikovskyt, të gjithë pjësëmarrësit i pret një mbrëmje elegante dhe e paharrueshme.

Ky rikthim në dy shekuj të shkuar për të kujtuar dhe njëherë rëndësinë e lirisë, elegancës, kënaqësinë e muzikës klasike, e cila qetëson edhe shpirtrat më të trazuar, kreativitetin dhe bukurinë e kostumeve, sidomos të atyre teatrale, të cilët përfaqësojnë personazhe të vënë në skenë në Teatrin Migjeni dhe Teatrin e Korçës, e njohja me epokën e lavdishme të së shkuarës, mbase do mbushi një copëz të panjohur prej saj.
Karnavalet në Venecia linden në vitet 1500-1700, e prej të cilave mbeti tradita e mrekullueshme e paradëse në rrugët e qytetit, entuziasmi i argëtimit dhe festës, magjia e maskave të punuara prej duarartëve dhe ballot, në të cilat të gjithë ishin ata që do donin të ishin, qoftë edhe për fare pak orë. Në qytetin e Tiranës, tradita e Karnavaleve nuk ekziston. Qyteti i Shkodrës ka adaptuar përsosmërisht Karnavalet Venciane, mbase prej lidhjes se këtyre dy qyteteve prej shekujsh.
Edhe pse vetëm një mbrëmje, ky event pasuron jetën kulturore në Tiranë, me elegancën e kuruar me shumë përkushtim nga Hemingëay Tirana në të tretin edicion radhazi, çliron shpirtrat e burgosur dhe rikthen në vëmendje kulturën, historinë dhe artin në mënyrën më argëtuese dhe duke patur mundësinë të përqafohet nga cilido.

Edhe pse dikur privilegji aristokracisë, ballo e së shtunës mbrëma do na dhurojë krahë të ndihemi për disa orë, pjesë e “të paprekshmëve”.
Mbase një pjesë e ëmbël e jetës të ndëfshihet pikërisht në një mbrëmje, ku privatësinë e ruan maska, tingujt e muzikës dhe fustani i rëndë sa një sënduk histori. AMOR VINCIT OMNIA…
Një tufë rrezesh nëpër RE!
