Tirana ka një filtër plot ngjyra parë me sytë e Zhaklin Lekatarit. Në zemër të kryeqytetit, aty ku ajo vetë ka lindur, apo në vendet e “arratisjeve” të shpejta, nga 10 sugjerimet e saj, zbuluam gjëra shumë interesante. Mbi të gjitha, kuptuam sa sinqerisht e dashuron Zhaku këtë qytet dhe sa të prekshme e bën ajo këtë ndjenjë, kur i kërkohet të sugjerojë 10 vende në Tiranë.

Zhaklin Lekatari

Kafe: 
Dita ime nis mjaf herët në mëngjes dhe për këtë arsye kam hequr dorë  nga rituali i pirjes së kafes me qetësi, por kjo nuk do të thotë që nuk kam një vend të preferuar. Ai është “My Way”, një lokal prej druri, i thjeshtë dhe me një oborr të vogël, i cili shpesh herë shndërrohet në zyrën time virtuale. Kafja e shijshme, qetësia dhe macja e lokalit, më bëjnë të ndihem si në shtëpi.

Blloku, foto nga IntoAlbania

Pikë referimi: 
Zona e Bllokut është pika ime e referimit. Ndoshta sepse kam lindur dhe banoj aty, apo ndoshta sepse çdo risi ndodh gjithmonë në bllok, ose sepse është zona më urbane dhe më lehtë e identifikueshme; rrugicat e bllokut, sidomos të dielën në mëngjës, më japin një ndjesi të bukur, sikur po shijoj jetën në maksimum.

Mali i Dajtit, Tiranë. Burimi: boomsbeat.com

Vend i rastësishëm:
Dajti është vend i rastësishëm për mua. Koha e pamjaftueshme, por dhe dyndja në ditët e pushimit bëjnë që të qëndroj larg malit të Tiranës, të cilin e vizitoj në situata të pazakonta.

Gjelbër, Tiranë. Burimi Web Library

Vend për një drekë të shpejtë:
“Gjelbër” është vendi perfekt për një drekë të shpejtë. Sidomos për ata që si unë, adhurojnë kombinimet e shëndetshme vegjetariane dhe vegane. Budda Bowl dhe kafja me qumësht bajameje janë një must.

Restorant Mystic, burimi Web Library

Pjata e preferuar:
Me shumë vështirësi mund të veçoj një pjatë të preferuar, sepse ndonëse gatimi nuk është pika ime e fortë, shijimi i ushqimit është. Sidomos të shijeve të reja dhe moderne apo kombinimeve të çuditshme. Megjithatë, për një ushqim të shpejtë gjatë çasteve të urisë, zgjedh orizin me tartuf nga Mystic.

Aperitiv:
Duke qënë një italofile padyshim që aperitivi apo aperi-darka është një moment i rëndësishëm të cilin do e praktikoja përditë. Vendi i preferuar për aperitiv është “Tribeca Bar”. I vogël, buzë rrugës sikur je në New York, me stilin e qëndrueshëm prej disa vitesh, dhe me një gamë të pasur pijesh dhe kokteilesh.

Zhaklin Lekatari

Kënaqësi e veçantë:
Liqeni i Tiranës. E adhuroj liqenin dhe faktin që tashmë mund të përshkohet i gjithi, me biçiklete, ecje apo dhe vrap të lehtë. Gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës, shëtitjet apo qëndrimet e mengjësit të bëjnë ta duash më shumë jetën.

Vendi i kulturës:
Vendi i kulturës për mua janë shtëpia ime apo shtëpitë e miqve, ku kaloj kohën time të lirë, duke parë filma, duke diskutuar për libra ose për aktualitet. Trajnimet apo takimet me persona që ndikojnë në zhvillimin tim intelektual janë vendet e kulturës që nuk dua të ndryshojnë apo të ndaj me të tjerë.

Restorant për darkë:
“Luga e Argjendtë“, një “tavernë” shqiptare me ushqim gourmet. Kombinimet, aftësitë dhe fantazia e Dhuratës të bëjnë të lëpish gishtat dhe t’i thuash lamtumirë perizës.  Pjatancat e Lugës janë të shijshme dhe të bukura, sa e ke të domosdoshme të kthehesh në një blogere ushqimi dhe ta fotografosh atë,  para së të zhduket.

Bar/Klub:
“Radio Bar“, tashmë prej më shumë se një dekade, është vendi unik, ku muzika e mirë, ambjenti, pijet, stafi dhe shoqëria e këndshme bëhen bashkë. Atmosfera retro, fytyrat e njohura dhe familjare, ngjyrat e shumta, e shkuara dhe e ardhmja shqiptare, gërshetohen aq bukur sa këmbët të çojnë vetë aty.

Nga: IntoAlbania