Virusi i cili rrezikon të kthehet në pandemi, është një kërcënim i heshtur për të gjithë ne, e megjithatë është e rëndësishme të shmanget informacioni i panevojshëm dhe i rremë i cili bëhet shkak për një frymë kaosi dhe paniku në shoqërinë tonë.

Situata është serioze, por është mirë të ruhet qetësia, si në çdo situatë të vështirë, me rëndësi është të qëndrojmë në balancë me të vërtetën, me informacionin e saktë dhe me faktet që burojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përballë një situate si ajo e koronavirusit ekziston rreziku i një frike objektive apo i një ankthi të përgjithësuar. “Nuk mund të mohohet kjo situatë që po përjetojmë, por duhet të përballohet pa përhapjen e frikës, e cila shkakton probleme të thella ankthioze tek njerëzit.

Është e rëndësishme gjithashtu, që informacioni të filtrohet, jo çdo gjë që qarkullon online është e vërtetë dhe duhet të merret si e mirëqenë. Përtej një mediatizimi të madh dhe një shqetësimi ndërkombëtar, ka njerëz që vazhdojnë jetën e tyre normale, rutinën e tyre të përditshme, pa u kthyer në peng të frikës, edhe në vendet ku virusi tashmë ka depërtuar dhe ka shkaktuar viktimat e para.

Coronavirus ose Covid-19, po trajtohet si një kërcënim global.

Por sa peshon realisht e gjithë kjo?

Bazuar në mundësinë e transmetimit nga njeriu tek njeriu ka një rrezik për impakt serioz në shëndetin publik. Në vendin tonë janë testuar rastet e dyshuara, të cilat kanë rezultuar të gjitha negative.

Por virusi mbetet ende fare pranë nesh.

Në një rast të tillë frika është e pranishme, por a duhet ndalur ritmi i jetës?

Thelbësore mendoj që është ndërgjegjësimi i njerëzve dhe shpërndarja e një informacioni efikas, i cili konsiston në vërtetësi dhe jo në përhapje paniku. Mund të merren masa paraprake, vetëm nëse njerezit përthithin burime të sigurta informacioni mbi efektet e koronavirusit, rrezikshmërinë, simptomat dhe mënyrën e transmetimit të tij.

Paniku ekziston, sepse ne jemi një vend lehtësisht i prekshëm dhe jo hermetik, por e rëndësishme dhe thelbësore, është të përhapet informacioni me vërtetësi, vetëm kështu mund ti vijmë në ndihmë njëri-tjetrit. Gjithashtu nëse kemi simptoma gripi, nuk duhet të alarmohemi menjëherë, por të vizitohemi dhe këshillohemi tek specialistët duke ruajtur qetësinë dhe shmangur kontaktet me të tjerët.

Maskat me një përdorim, nuk kanë asnjë efekt mbrojtës, është e trishtueshme që po abuzohet me shitjen e tyre, dhe po përfitohet nga frika e përgjithshme për qëllime biznesi.

Kjo duhet të ndalojë.

Ne si qytetarë, duhet ti shërbejmë njëri-tjetrit me integritet, duke përfshirë këtu mbi të gjitha, dhënien e saktë të informacionit, dhe jo një informacion i cili përhap panik duke krijuar disa klikime më shumë.

T'i shërbejmë njeri-tjetrit, të qëndrojmë me njëri-tjetrin, për njëri-tjetrin.

Është esenciale t'i jetojmë me integritet këto ditë të vështira!