Nuk është thjesht një statistikë, nuk është rastësi, gratë po vdesin çdo ditë dhe kjo situatë është alarmuese. Nuk mjafton një hashtag, nuk mjafton një status në rrjetet sociale, nuk mjafton dhimbja dhe keqardhja e të gjithëve ne.

Pa kaluar ende 24 orë nga vrasja në Rrëshen, një tjetër grua, dje humbi jetën, para syve tanë, u vra në dritën e diellit, nga bashkëshorti i saj, në dyqanin ku punonin bashkë dhe siguronin jetesën. Motivet edhe pse ende të pazbuluara, mendohen të jenë të dobëta si gjithmonë, a ekziston vallë një motiv për të marrë jetën?

2020-ta është viti i cili mban shifrën më të lartë të vrasjeve të grave brenda harkut kohor të një muaji.

Duhet të mobilizojmë të gjithë forcën tonë, për të mbrojtur jetën, për ta mbrojtur bgruan, nga niveli i ulët i arsimit të një burri, nga inferioriteti i tij, nga mëndjengushtësia, mungesa e thellë e vetëbesimit dhe problemet e xhelozisë patologjike.

GRATË nuk mund të flijohen më!

Nuk mjafton një thirrje, as një marshim, as një boom mediatik, duhen marrë masa konkrete, duhen ekspozuar modele të mira, duhen edukuar djem që i respektojnë vajzat, i respektojnë nënat, motrat, shoqet ...djem qe kur të rriten, bëhen BURRA që i respektojnë GRATË.

Është e vështirë të jesh grua në Shqipëri, kur jemi të ekspozuar ndaj rasteve ekstreme të dhunës, kur injoranca ulet këmbëkryq në zemër të vatrës tonë, kur mungon liria edhe në ajrin që marrim, kur dhunohet privatësia, kur një ndër tre gra dhunohet çdo ditë, dhe kur numri i vrasjeve të grave shënon veçse ditë të zeza në kalendarin e jetës.

Edhe sa gjatë do të durojnë gratë?

Edhe sa do të lejojmë që kjo energji të akumulohet, kjo frymë të rritet, të zgjerohet e të infektojë edhe brezat e ardhshëm?

Deri kur krisma e dhimbjeve të grave do të kumbojë në heshtje?

Deri kur gratë do të fshehin lotët, në errësirën e mendjes në të cilën jetojnë?

Deri në frymën e fundit.

Deri kur jetët e tyre të brishta, të thyhen në mijëra copa, e të marrin vëmendjen tonë, atëherë kur është tepër vonë.