E citoj këtë shprehje sepse zë vënd më shumë se asnjëherë në realitetin tonë. Mbetet aktuale dhe në thelb mban një mesazh e një vërtetësi të madhe. A mund të jesh i suksesshem nëse nuk je fillimisht NJERI VLERASH në çdo drejtim?

Përgjigja jepet në varësi të cilit këndvështrim shihet suksesi dhe arritjet. Është e thjeshtë të bësh "Sukses" ditët e sotme, mediat nuk i kursejnë promovimet e skandaleve, dhe hapësira që i është ofruar vazhdon të lulëzojë e të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Liria e zgjedhjes i përket secilit prej nesh. Ama mbetet ende e vështirë dhe e mundimshme të arrihet suksesi i vërtetë, ai cilësor dhe dinjitoz. Ai i cili mund të ndërtohet vetëm hap pas hapi, me shkallët e sfidave, pa ashensor.

Suksesi ka fasadën e ëmbël por shijen e hidhur. Shija e ëmbël e suksesit është veçse një gënjeshtër e madhe. Të arrish sukses, do të thotë të dështosh mijëra herë në trajektoren e jetës, por asnjeherë të mos ndalesh, dhe gjithmonë të provosh.

Më vjen keq që promovohet dhe reklamohet një lloj suksesi i cili nuk ka peshë, mund ta asgjesojnë lehtësisht flladet e kohës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të trumbetohet si vlerë.

Kjo farë është mbjellur tek e ardhmja, tek rinia, dhe do të prodhojë vetëm zhgënjim dhe modele të gabuara.

Njeriu nuk mund të zgjohet i suksesshëm brenda natës, njeriu nuk mund të bëhet i suksesshëm pa e mbështetur qëllimin e tij në një sistem vlerash dhe nuk mund të arrijë asnjëherë suksesin nëse nuk arrin të definojë dhe të ushqejë brenda vetes humanitetin.

Suksesi pa baza, jep shembuj të gabuar, drejtim të gabuar, rezultat zhgënjyes dhe jo afatgjatë.

Nëse do të më jepej mundësia, nuk do të doja të zgjohesha e suksesshme, sepse unë dua t'i shijoj të gjitha dështimet e mia, sepse unë dua të ndërtoj veten, sepse dështimet më bëjnë më të fortë dhe nëse je i fortë vërtetë, askush nuk mund të të nënvlerësojë.

Rruga e suksesit është e gjatë, ekuilibrin do e gjesh vetëm tek puna.

Puna dinjitoze, e cila nuk të lë asnjëherë në baltë.

Të promovohet një disiplinë e fortë pune tek të rinjtë, një mendësi e kundërt me "të fitosh para shpejt" ose "të mund të bëhesh milioner brenda natës".

Kjo mendësi nuk është e vërtetë.

Kjo" jetë" ndodh vetëm në Instagram.

Dhe asnjëherë jeta nuk ka qenë më e gënjeshtërt se aty.

Mos beso gjithçka që sheh dhe mos u krahaso asnjëherë me të tjerët.

Suksesi yt je ti! Janë vlerat që ke, është puna jote!