Ministrja Besa Shahini bëri të ditur se ekrani i RTSH-së do të transmetojë mësimin për shkollat 9-vjeçare dhe për gjimnazet. Po ashtu, leksionet do të jenë edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në YouTube.

RTSH Shkollë ka transmetuar sot në orën 10:30-12:00 leksionet e matematikës për klasat 6-12. Ndërsa nga ora 18:00-19:30, në Radio Televizionin Shqiptar - RTSH 1, do të transmetohen leksionet e kimisë për klasat 8-12.

Nëse i keni humbur, pas orës 12 leksionet mund t’i gjeni edhe në kanalin youtube të MASR.

“900 leksione në matematikë dhe shkenca, për klasat 6-12 i gjeni në platformën mësimore Akademi.al. Regjistrohuni sa më parë dhe aksesojini ata. Paralelisht, pyetjet më të shpeshta që nxënësit kanë për leksione të caktuara, do t'i adresojmë me video të reja nga mësuesit dhe do të publikohen këtu. Në bashkëpunim me MASR, Akademi.al do të pasurohet me video-leksione të tjera për lëndët dhe klasat që mungojnë”, -ka shkruar ministrja.