Nëse keni nisur të mbani shënim, atëherë po filloj. Shënoni: 2 gram lajthitje truri, 5 gram dhimbje e vazhdueshme koke, 10 gram mpirje muskujsh.... Apo nuk është kjo? Një sekondë, se më duket e ngatërrova...

Në fakt, kështu do të niste receta "ideale" që, për momentin mban emrin “Çfarë të bësh në shtëpi gjatë izolimit”, “Si të kalosh bukur në shtëpi”, “Si të argëtohesh gjatë qëndrimit në shtëpi” e të tjera si këto, të cilat, të them të drejtën, më bëjnë të qesh me të madhe.

Do të isha më shumë partizane e të thënit të gjërave siç janë në të vërtetë sesa të përpiqemi të gënjejmë veten se qëndrimi në shtëpi është mjaft argëtues. Nëse është për ju i tillë, aspak stresues në ditën e 4-t të karantinës, atëherë ma jepni, recetën, ju lutem, se më duhet.

 

Çfarë ndodh në të vërtetë? Të paktën, këtej nga unë, fëmijët e fqinjës nisin që në orën 7.00 të mëngjesit jo të qajnë, por të ulërijnë. Nëna e tyre, nga përpjekja e dështuar për t’i qetësuar, ulëret edhe më shumë se ata. Çifti i të moshuarve në katin e sipërm, që zgjohen që në orën 5.00, nisin të grinden me njëri-tjetrin. Edhe ata, nga pamundësia se nuk dalin dot. Çifti që bashkëjeton në derën ngjitur, nuk gjen gjuhën e përbashkët. Ai do që të dalë, ndërsa ajo përpiqet ta bindë të mos e bëjë.

Kjo është pasqyra fillestare që po përsëritet ditë pas dite.... ajo që më tregon se qëndrimi në shtëpi është kaq “argëtues”. Po mirë, kur qenka i tillë, pse janë mobilizuar psikologët për të na qetësuar gjatë kësaj periudhe izolimi?

Sepse nuk është, pra... qëndrimi në shtëpi është i lodhshëm, i mërzitshëm, kaotik, i papërballueshëm. Dhe jua them unë sepse:

1. Po qëndroj larg njerëzve që dua më shumë në këtë botë. Nuk kam zgjedhur ta bëj. Duhet, sepse ruaj jetën e tyre dhe timen. Natyrisht, flas me ta sa herë mundem, falë teknologjisë, por nuk e duroj dot zërin e mekur të sime mëje sa herë më merr e më pyet: “Si je? Çfarë po bën?”
“Ç’mund të bëj o ma? Nga salloni në dhomë, në ballkon më pak, se ruhem mos ka viruse, çdo 10 minuta në banjë për të larë duart....”

2. Të lexoj libra? Kush më këshillon? Si mund të përqëndrohem kur pas çdo paragrafi, më vjen një lajm, një link që më udhëzon të shkoj në një informacion të ri për gjendjen që ka krijuar ky virus i tmerrshëm?

3. Të merrem me sport në shtëpi? Edhe kjo më duket gjëja më qesharake që mund të më këshillojnë në këtë moment. Në një kohë kur të gjithë specialistët këshillojnë sa më shumë sporte në natyrë, unë u dashkam të nis, pikërish tani, një sport të ri në shtëpi? A s’është për të qeshur?

4. Për pak harrova. Kam edhe një aktivitet tjetër në shtëpi. Të përgatit leksione online për nxënësit e mi. Në parim, edhe kjo është një nismë mjaft e mirë për t’i bërë fëmijët të ushtrohen edhe gjatë kësaj periudhe izolimi, por kush nga ju guxon të më thotë cili fëmijë e ka kuptuar dhe cili jo atë që kam thënë unë në video? (sepse unë e kam të vështirë ta dalloj këtë kur i kam nxënësit përballë në klasë).

5. Si? Po, edhe lulet e ballkonit! Po, po! Është pikërisht koha për t’u marrë me to, por sapo nisa, dëgjova lajmet dhe të rejat për të prekurit e koronavirusit dhe e lashë edhe këtë aktivitet të ndritur të pranverës.

Shumë prej jush mund të bëjnë me dhjetëra aktivitete në shtëpi dhe ju përgëzoj. Natyrisht, është koha për të rregulluar gardërobën, për të gatuar me fëmijët, për të krijuar edhe lojëra të reja me ta, por mos jepni receta “Të qëndrosh në shtëpi është bukur”. Sot, nuk është koha, jo më!

Nuk jam e revoltuar, nëse dikujt i dukem kështu, madje nuk jam as pesimiste, përkundrazi. Besoj shumë se kjo periudhë do të mbarojë shumë shpejt. Duhet vetëm pak durim... Ose shumë durim. Durim i kalitur.

Por, që të jemi të sinqertë e të mos e gënjejmë njëri-tjetrin, është mirë që ta pranojmë se qëndrimi në shtëpi na trishton, na dobëson, na bën më të ndjeshëm, na demoralizon.

Psikologët e njohin mjaft mirë terapinë e karantinimit: qëndrimi i gjatë në shtëpi, mungesa e aktivitetit fizik dhe reduktimi i marrëdhënieve sociale jep pasoja të dukshme në trup dhe në mendje. Gjithçka që rrotullohet rreth 70 metrave katrorë (kaq është shtëpia ime) ndikon shumë në shëndetin tonë mendor.

Kjo shpjegon pse të gjithë ndihemi të trishtuar, acarohemi lehtësisht, herë pas here kemi ndjesi të pakëndshme që krijohen nga hiçi.

Është bukur të qëndrosh në shtëpi” nuk është recetë për mua, por, natyrisht, do të vazhdoj ta praktikoj qëndrimin në shtëpi derisa t’i vijë fundi këtij makthi dhe derisa të jemi të gjithë të shëndetshëm.

Është bukur të qëndrosh në shtëpi” nuk është recetë për mua, po UNË, ju lutem, të bëni atë që po bën shumica nga ne – TË QËNDRONI NË SHTËPI.

Sigurisht, është periudhë e vështirë, ka depresion, konfuzion, frikë, ankthe. Por duhet bërë. Duhet bërë në emër të jetës dhe së ardhmes sonë... Duhet bërë në emër të fëmijëve tanë.

Mos harroni:

Hani mirë për të forcuar imunitetin dhe për t’u ndier energjikë!

Komunikoni sa më shumë online me njerëzit që doni!

Bëni gjërat që ju pëlqejnë më shumë (brenda mureve të shtëpisë)!

Lexoni... Kjo është vërtet recetë e bukur.

PS: Kush e gjen atë recetën, ju lutem ma nisni këtu.... Nëse karantina nuk ka marrë fund ende.