Mbyllja në shtëpi po shtron shumë pyetje të reja në lidhje me kapacitetin dhe sigurinë e mjeteve që shumë i përdorin për t'u lidhur me sistemet jetësore dhe të dhënat e punës.

Në një agjenci të madhe amerikane, disa zyrtarë i kanë zhvilluar takimet përmes iPhone-it, sepse urat e rregullta të konferencave nuk kanë funksionuar gjithmonë, sipas një punonjësi federal. Por numri i personave që mund të marrin pjesë në “takimin” përmes komunikimit me telefon është i limituar. Grupi bën thirrje vetëm për pesë pjesëmarrës në të njëjtën kohë.

"Gjërat kanë funksionuar më mirë nga sa parashikoja, por ka ende shumë rreziqe."- tha punonjësi, i cili foli në kushte anonimiteti.

Ndryshimi i rutinës mund të krijojë mundësi të reja për hakerat. Punëdhënësit nuk shqetësohen vetëm për kapacitetin, por edhe për punëtorët që kanë fjalëkalime të dobëta në kompjuterët personalë, fjalëkalime të dobëta të WiFi-së apo edhe një virus që mund të jetë pjëse e një pajisjeje që ata përdorin.

"Gjithçka që duhet është që njëri prej fëmijëve të infektohet (elektronikisht) dhe virusi përhapet brenda shtëpisë,"- tha Marcus Sachs, një ish-nënkryetar për politikën e sigurisë kombëtare në Verizon. Hakerët mund të kalojnë nga shtëpia në zyrën ku individët punojnë për të marrë gjithçka gjejnë.

Ekspertët rekomandojnë përdorimin e këshillave të higjenës digjitale dhe sigurisë, pasi “kriminelët” kërkojnë të shfrytëzojnë krizën e koronavirusit. Sipas kompanisë së sigurimit të informacionit me bazë në Seattle, DomainTools, hakerat po krijojnë gjithnjë e më shumë faqe interneti, aplikacione dhe mjete përcjellëse të lidhura me koronavirusin, të cilat synojnë të joshin ata që thjesht kërkojnë informacione, por që në të vërtetë përhapin softuer me qëllim të keq, që mund të bllokojnë pajisjen tuaj.

Agjensitë kanë miratuar tashmë masa sigurie dhe i kanë bërë politikat e lejes më fleksibël. Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, e cila mbikëqyr 16 agjenci të ndryshme të inteligjencës, thotë se "po zvogëlon kontaktin e stafit përmes një shumëllojshmërie opsionesh, duke përfshirë orare fleksibël dhe praktika të distancimit shoqëror".

"Nëse kjo do të kishte ndodhur pesë vjet më parë, unë do të mendoja se një përqindje shumë e madhe e punonjësve të qeverisë nuk do të mund të hynin nga distanca në sistemet e tyre ose të bënin asgjë nga shtëpia. Sot, kjo përfundimisht nuk është e vërtetë. Unë nuk mund të flas me çdo agjenci, por është shumë më e madhe se sa ishte."- tha Gordon Bitko, një ish-zyrtar i informacionit të FBI-së.