Shumica prej nesh dhe sidomos ata që munden, janë të izoluar tani. Nëse jeni pranë gjysmës tjetër, ju jeni me fat. Ndërkohë, beqarët do duhet të qëndrojnë kështu për një kohë, derisa dalja jashtë të jetë e sigurt përsëri.

Nën rregullin e distancës sociale, Jeremy Cohen, 28 vjeç, ishte në banesën e tij kur vuri re një vajzë që po kërcente në çatinë e saj. Në modën e re të “Romeos”, ai përdori ballkonin e vet dhe teknologjinë moderne për të tërhequr vëmendjen e saj.

Ata nuk po qëndronin aq afër sa për të biseduar (distanca sociale bën të vetën), prandaj, pasi shkruajti numrin në një copë letre dhe e ngjiti atë në dronin e tij, e fluturoi drejt brunes.

Të gjithë momentin e regjistroi në një video në TikTok dhe deri tani ajo është parë nga 4.4 milion njerëz në Twitter.

“Nuk mund ta besoj që kjo funksionoi me të vërtetë! Dhe po, kjo është një histori e vërtetë.”- tha Jeremy Cohen.

Pavarësisht se është i turpshëm, Jeremy e konsideron veten si një romantik i pashpresë.

“2020-ta ka qenë një fillim i tmerrshëm, por më duhej ta filloja nga diku. Ajo e mori dronin tim dhe mendoj se kjo funksionoi”- thotë ai në video.

Atë natë, vajza në video i shkruajti dhe që nga ai moment, ata flasin rregullisht.

“I kam kërkuar të dalim bashkë, por duhet ta mendojmë se si mund të realizohet kjo. Unë kam një ide, por nuk do ta them akoma. Dua që kjo të jetë personale. Do të ketë një “Part 2”, ju premtoj!”- tha ai.

Me gjithë vëmendjen që mori, Jeremy nuk e la pa shfrytëzuar mundësinë që iu dha për t’u thënë njerëzve të kontribuojnë në nisma të ndryshme që janë ndërmarrë në Amerikë kundër Covid-19.