As e para e as e fundit. Pandemia që ne po jetojmë ndryshe nga sa pretendohet nga grupe të ndryshme nuk është ndëshkim për njeriun. Nuk është as një gjë e re, nuk është as personale. Nuk është shfryrje e natyrës ndaj civilizimit apo veprimeve të njeriut në veçanti. Vetëm pak javë më parë të mposhtur nga informacione të panevojshme e çoroditëse çdo ditë (në përgjithësi në favor të konsumizmit) ne jetonim në një iluzion kolektiv. Aq fortë i besonim atij iluzioni sa sot sillemi sikur sapo ramë nga retë. Ose sikur një pushtues erdhi nga "hiçi" dhe hyri brenda flluckës sonë të sapunit.
Si asnjëherë më parë në rast pandemie por si cdo ditë e zakonshme e njeriut dixhital, po përjetojmë një shpërthim informacioni në nivel personal.
Sot gjithkush ndan mendime ndjesi, parashikime, teori konspirative, inate, dëshira, akuza, ide në të njëjtën kohë e në të njejtin vend. Çfarë mund të bëjmë me kaq shumë informacion? A na duhet? A ndihemi më pak të frikësuar? A jemi më të mbrojtur?!
Dija është kaq e thjeshtë për tu gjetur sot, por kaq e vështirë për të depërtuar në sipërfaqe.
Ju ftoj të kujtojmë të mendojmë të dyshojmë. Të gjitha ngjarje sa reale aq fiziologjike të të nxënit.
Gjërat janë të thjeshta.
Kjo nuk do të thotë që janë më pak të rrezikshme apo të frikshme.
Gjërat janë të thjeshta.
Ne e kemi një vend në këtë planet, me apo pa koronën.
Ajo që do doja të normalizoja tek kushdo që po më lexon është njerëzorja.
Po, jemi njerëz, produkt e banor të këtij planeti. Asnjëri prej llojeve që njohim nuk ka inate personale me ne. As nuk ka për qëllim të na zhdukë. Natyra ka ligjësi të sajat, të cilat shkruhen në molekula.
ADN (ose ARN sipas rastit) - është kushtetuta e çdo lloji që bashkëjeton në këtë planet.
Pavarësia e llojit ndaj natyrës nuk ekziston si nen apo ligj në asnjërën prej miliona kushtetutave që kontrollojnë format e jetës.
Ligji i parë që shkruhet në të është mbijetesa e llojit.
Asnjë lloj nuk është përfundimisht i ndarë nga tjetri.
As ne njerëzit nuk kemi si të jemi të pavarur nga natyra.
Le t’i rrëzojmë perdet anash syve, ne jemi bij të natyrës, e cila ekziston vetëm në sajë të një bisede të pandalur mes llojesh.
Ne jemi në shtëpi këtu, kemi ndërtuar kasollet e strehët tona. Këtu i kemi dhënë formë jetës duke eksploruar potencialin e llojit tonë sikurse bëjnë bletët në mbretëritë e tyre, milingonat, gazelat, shqiponjat, pyjet e amazonës, tigrat e siberisë, orkidetë, breshkat, sardelet, algat, molusqet, kërpudhat, bakteret, viruset...e mijëra e miliona lloje të tjerë që jetojnë këtu, në shtëpinë tonë.
Natyra nuk është hakmarrëse e as kredidhënëse. Askund nuk po mbahen shënim të mirat apo gabimet e njeriut ose ndonjë lloji tjetër. Nëse ne jemi këtu sot është sepse kemi mundur të përshtatemi vazhdimisht me sukses prej qindra mijëra vitesh.
Veprimet kanë pasoja, jo ndëshkime. Ne kemi jetuar dhe do të vazhdojmë të jetojmë në të egër edhe pse çuditërisht besojmë ndryshe. Njeriu i shekullit të XXI jeton pjesërisht në iluzionin e civilizimit, iluzionin e një jete në kapsulë, një jete "të pavarur", nën kontroll (në fund të fundit paguajmë taksa apo jo) por jeta në marxhinat e civilizimit dhe urbanizimit do të vazhdojë përgjithmonë nën ligjësinë e natyrës. Çdo formë jete do të vendosë kufijtë e saj sikurse ne po përpiqemi të bëjmë me virusin në fjalë.
Le t’i braktisim idetë e çuditshme se po paguajmë për fajet e mbledhura. Nuk kemi pse t’i falënderohemi koronës për një ngjarje rutinë në natyrë. Ashtu sikurse ne nuk e "shpëtojmë" dot botën as ajo nuk mundet. Sikurse ne nuk e shkatërrojmë dot botën as ajo nuk mundet. Natyra ka format e saj për të ruajtur ekuilibrat duam apo s'duam ne, dimë apo s'dimë ne, besojmë apo s'besojmë ne.
Mund të na duket një top plasteline natyra e jeta në të, ku vetëm me dëshirë të mirë ose të keqe mund ta shpëtojmë ose ta shkatërrojmë. Nuk mund të mendonim më gabim se kaq. Ne jemi vetëm një element i matriksit të jetës (po, matrix është fjalë e huazuar nga biologjia për ekranet). Veprimet kanë pasoja, jeta ka pasoja, ekzistenca ka gjurmë. Nuk mund të jemi asnjëherë vetëm mbi apo nën këtë tokë, vetmia nuk ekziston në natyrë. Ndaj veprimet kanë pasoja ndaj ekzistenca ka gjurmë.
Thënë këtë dua të risjell në vëmendje se sa kohë ADN-ja jonë nuk parashikon sfidë në numra me këtë sfidant të padukshëm, ajo ka parashikuar nxënien. Ne mund të modifikojmë sjelljen. Kaq thjeshtë.
ADN-ja jonë përshkruan strategji mbijetese nga përballjet me gjahtarë që na shohin drejt e në sy deri tek ata që nuk i shohim dot me sy.
Më shpesh se rrallë kjo strategji është bazuar në mbrojtje. Të rrallë kanë qënë "trimat" që i dilnin përpara luanit të uritur, e fakt është që pak nga ne kanë genet e tyre me vete (jo për gjë po nuk kanë jetuar për ta treguar trimërinë e tyre). Më të shumtë kanë qënë ata trima të mençur që janë bërë bashkë për tiu ruajtur luanit të uritur. Duke e ndjekur për t’i mësuar sjelljen dhe pikat e dobëta mundën të krijojnë mjetet e duhura për ta mbajtur larg fisit e bagëtisë. Ja ku jemi këtu për ta dëshmuar.
E njëjta strategji do të ndihmonte edhe tani. Një përballje frontale me virusin do ish marrëzi.
Ne kemi ditur të ndërtojmë mjetet dhe në vetëm pak kohë pas kryqëzimit të rrugëve me koronën ne dimë si të mbrohemi. Le ta bëjmë këtë, të mbrohemi të gjithë bashkë deri sa t’i njohim më mirë sjelljen dhe pikat e dobëta e të krijojmë mjetet për ta mbajtur larg familjeve tona. Ne dimë si ta bëjmë, e kemi të shkruar në ADN, në ligjin e parë të saj.