Këngëtarja e famshme Pink, bëri të ditur dje se ajo dhe djali i saj kanë qëndruar ditë të tëra në izolim, pasi rezultuan pozitiv ndaj testit të COVID-19. Ajo rrëfeu se bashkë me djalin e saj, James, shfaqën simptoma dy javë më parë, pasi kishin filluar të izoloheshin. Ajo shtoi se ishte me fat që doktori mundi t'i testonte.

“Është një dështim i qeverisë sonë që nuk i ka bërë testet më të aksesueshëm nga të gjithë. Testet duhet të jenë të aksesueshëm për të mbrojtur fëmijët, familjet, miqtë dhe komunitetin tonë”, -ka shkruar mes të tjerash Pink.

Fatmirësisht, në testimin e dytë të bërë së fundmi, ajo edhe i biri kanë rezultuar negativë. Pink shtoi se do të dhurojë 1 milion dollar për spitalet dhe fondacionet që po ndihmojnë në luftën me koronavirusin.

“Faleminderit punonjësve tanë të shëndetësisë dhe gjithkujt në botë që po punojnë shumë për të na mbrojtur ne dhe të dashurit tanë”, -ka përfunduar këngëtarja.

E ëma e Pink ka punuar në spitalin ku ajo do të dhurojë 500.000 dollarë dhe ndoshta për këtë arsye këngëtarja është më e ndjeshme në këtë situatë të vështirë, sidomos për punonjësit e shëndetësisë.