Në këto ditë kur çdo aktivitet e ke të lidhur me shtëpinë, mund t'ia rezervosh një ditë edhe këtij këndi të shtëpisë, i cili, mund të jetë hapësira më relaksuese. Pasi ke mbaruar punët, të buron së brendshmi një dëshirë urie për t'u rehatuar në këtë vend.

Dhe kur ke një shtëpi të bukur plot ngjyra, të ngrohtë e mikpritëse, dëshira për të qëndruar në të është akoma më e madhe.

Pas dushit, me një libër në dorë, një kafe a çaj i drejtohesh ballkonit, pavarësisht nga përmasat që ka ai. Mjafton që ti ta kesh bërë një mjedis të këndshëm.

Ja si mund të rinovosh një ballkon të vogël për ta bërë një ambient të dashur për të qëndruar.

Mund ta bësh me gjëra të thjeshta dhe të vogla: dyshemenë e shtron me pllaka të vogla druri, të cilat menjëherë i japin një pamje natyrale mjedisit. Mund të vendosësh një tavolinë të vogël dhe një karrike. Gjithashtu mund ta dekorosh me lule.

Nëse ballkoni është mikroskopik, ja një ide për të kaluar pak kohë cilësore në ajër të pastër duke mos dalë nga shtëpia, por në qetësi të plotë: mund të përdorësh si tavolinë për të mbështetur librat a revistat një stol të vjetër, të cilit i ndryshon ngjyrën dhe më pas do të të duket si krejt i ri. Pranë tij, mund të vendosësh një karrike ku mund të ulesh dhe të lexosh. Në ganxhat e hekurit të ballkonit mund të vendosësh një strukturë që të shërbejë si tavolinë. Një ide e thjeshtë dhe praktike: aty mund të vendosësh libra, gota, pjata dhe anash apo poshtë saj lule dekorative.

Edhe një ballkon në formën e një galerie (i ngushtë dhe disi i gjatë) mund të arredohet këndshëm për të kaluar kohë të mirë dhe të bukur në ajër të pastër: me një tavolinë me përmasa të vogla të mbështetur pas murit dhe dy karrike. Dhe në qoftë se e kupton që mungon vendi për aksesorë të tjerë, mbushe me lule zvarritëse për ta bërë mjedisin sa më të ngrohtë dhe mikrpitës.