Në këto ditë të vështira, si për të gjithë, edhe për Blendi Fevziun ka ndryshuar rutina. Edhe pse po punon me staf të reduktuar, çdo mbrëmje, nga e hëna në të enjte, Blendi është në transmetim të drejtpërdrejtë në Tv Klan. Po pjesën tjetër të ditës si po e kalon?
I ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Blendi rrëfeu se pjesën më të madhe të kohës ia kushton programit, ndërsa ajo pak që mbetet, në shtëpi.
Fevziu tregoi se e kishte idenë që Shqipëria do bëhej pjesë e kësaj harte që në momentin e parë që ndodhi në Kinë, sepse jetojmë në një botë të integruar dhe gjërat që ndodhin diku, njëkohësisht të prekin dhe ty.
“Unë e kisha idenë që Shqipëria do bëhej pjesë e kësaj harte, që në momentin e parë që ndodhi në Kinë. Unë kam bërë emisionin e parë ndër gjithë mediat shqiptare, emisionin dedikuar asaj që po ndodhte në Wuhan. Madje në atë moment pati shumë njerëz që më thanë ç’e humbe audiencën me Wuhan, kush çan kokën çfarë ndodh në Kinë. Në fakt unë e kam gjithmonë bindjen dhe e kam pasur që sot jetojmë në një botë globale, në një botë të integruar. Dhe të jetosh në një botë të integruar do të thotë që gjërat që ndodhin diku, njëkohësisht të prekin dhe ty. Unë që në fillim e ndoqa, pata dhe një kuriozitet më të madh për të parë se çfarë po ndodhte, edhe në ambientet miqësore e përmendja shpesh dhe nuk isha fare i papërgatitur. Natyrisht ritmi i kësaj që po ndodh ishte jashtë çdo lloj logjike normale, ishte jashtë asaj që unë mund të mendoja, por që do të vinte dhe që situata do të agravonte ishte e kuptueshme”
Më shumë merak në këtë periudhë, siç tha drejtuesi i “Opinion”, ka për të atin dhe për vajzën e vogël. Pyetjes nëse e ka trembur pak kjo situatë, ai iu përgjigj:
Jo fare! S’kam pasur asnjë shqetësim. E para njëherë, trembja në vetvete kam merak për tim atë, kam merak se në rast se do prekem, do e kem të vështirë për të zhvilluar emisionin, vetëm po qeshë i intubuar, se po të jem, do ta bëj në “Skype”, në çdo rrethanë. Kam merak për vajzën e vogël, se gjithsesi duhet të rrish 2-3 javë pa e takuar, për familjen. Vetë personalisht nuk kam ndonjë shqetësim. Madje një moment po mendoja, i thashë dhe drejtorit të Spitalit Amerikan, ka ndonjë metodë të injektohet, të infektohem që ta kaloj, se pastaj herën e dytë thonë, fiton një lloj lirie, pra izolohesh dy javë, por fiton një lloj lirie. Por pikëpyetja është se ti nuk e di si e kalon, domethënë si do reagojë trupi.