Acidi hialuronik është një substancë natyrale e cila ndodhet në trupin e njeriut, por me kalimin e viteve përqëndrimi i tij në organizëm pakësohet. Si pasojë lëkura humbet vitalitetin dhe pamjen e saj rinore.

Mungesa e acidit hialuronik fillon të japë efektet e saj në lëkurë duke filluar që nga shfaqja e rrudhave të lehta ose ato të mimikës, më pas krijohen rrudhat e thella (në zonën anësore të mjekrës) dhe rënie e kontureve të fytyrës, të cilat bëhen më të theksuara.

Pritshmëritë dhe realiteti; mashtrimi i industrisë së kozmetikës

Për çdo femër e cila ka kaluar të 25-tat dhe shikon rrudhat e para në fytyrën e saj kërkon një produkt që t’i ndalojë ato ose t’i heqë përfundimisht. Për këtë dermatologët këshillojnë produkte që përmbajnë acid hialuronik.

Industria e kozmetikës dhe kujdesit të lëkurës fsheh shumë të vërteta dhe premton shumë për të arritur shitje të mëdha.

Këto kohë po flitet shumë për acidin hialuronik duke thënë se nëse përdor krem me përqindje të lartë të tij mund të ndalosh rrudhat dhe ti minimizosh ato qe ke. Por si mundet një krem të ndalojë një proces biologjik si plakja?!

Molekulat e acidit hialuronik janë tepër të mëdha për tu përthithur dhe është e vështirë për t’u thithur thellësisht nga lëkura. Efekti i acidit hialuronik është më tepër i jashtëm pasi e hidraton lëkurën në sipërfaqe dhe është një efekt i përkohshëm.

Acidi hialuronik është i këshillueshëm për lëkurat e thata të cilat kanë nevojë për shumë hidratim.

Pra acidi hialuronik nuk shërben për largimin ose ndalimin e rrudhave, por për hidratimin e lëkurës.

Si t’i përdorim produktet që përmbajnë acid hialuronik?

Acidin hialuronik mund ta gjejmë në produkte kozmetike si serum ose krem hidratues me përqindje të caktuar të tij. Por të gjitha femrat duhet të dinë se efektet pozitive mund të shndërrohen në të padëshirueshme nëse produktet me këtë acid nuk përdoren si duhen.

Nëse aplikoni një serum me acid hialuronik në lëkurë të thatë, nuk po i bëni asnjë dobi kësaj të fundit vetëm sa po e dëmtoni. Nëse jeni të dehidratuar dhe ajri rreth jush është i thatë, acidi do të tërheqë lagështi nga burimi më i afërt (dmth nga shtresat më të thella të lëkurës suaj) në vend që ta tërheqë atë nga mjedisi rreth jush. Me pak fjalë lëkura juaj do të ndihet edhe më e thatë.

Por cila është mënyra e duhur për të përdorur acidin hialuronik?

Gjithmonë, aplikoni acidin hialuronik në lëkurë të njomë dhe menjëherë lyejeni fytyrën me krem hidratant! Nëse deri më tani e keni aplikuar gabim, kjo ka qenë arsyeja përse acidi nuk ka dhënë rezultatin që ju prisnit.

Ps: Artikulli është realizuar nga Siliviana Muço, një vajzë e re e pasionuar pas estetikës dhe të bukurës. Ajo ka kryer një specializim 1-vjeçar në Francë për estetikë dhe dijet dhe informacionin personal zgjedh që ta ndajë edhe përmes artikujve interesantë në media të ndryshme. Ky është artikulli i saj i parë për Class, e bashkëpunimi ynë do të vijojë me të tjerë qasje interesante në fushën e estetikës e bukurisë.