Adisa Gashi (Kica) është një vajzë e apasionuar pas kuzhinës dhe sidomos pas ushqimeve cilësore, të përgatitura në shtëpi me shumë kujdes. Shumë prej jush mund të keni pasur rastin t’i shihni gatimet e saj në faqen @adisaskitchen. Sot Adisa ka zgjedhur që një prej recetave të saj ta ndajë edhe me ndjekësit e revistës Class. Ajo ka zbuluar si e përgatit djathin vetë, me qumësht fshati, uthull dhe erëza.
Përbërësit që ju duhen:
• 3 litra qumësht
• uthull e bardhë (ajo transparente)
• spec djegës i kuq, i tharë
• piper i kuq
• trumzë
Mënyra e përgatitjes:
Para se të filloni, përgatisni një enë ku keni vendosur një kullesë dhe mbi të napë. Vendoseni qumështin në zjarr dhe sapo të fillojë të nxjerrë bulëzat e para shtoni një filxhan kafe uthull, uleni nxehtësinë në minimum dhe vazhdoni trazoni e shtoni nga pak uthull, derisa hirra të bëhet transparente. Sapo hirra bëhet transparente, fikni sobën shtoni erëzat dhe të gjithën kalojeni në enën me napë. Shtrydheni dhe lidheni napën. Ja ku u bë djathi! Vendoseni në një pjatë të madhe dhe shtojini një lugë gjellë kripë lart dhe poshtë. Mbi djathë vendosni një peshë (një shishe me ujë). E lini gjithë natën kështu dhe të nesërmen e keni gati.
Nëse doni mund ta fusni në kavanoz me vaj ulliri, ku keni shtuar një thelb hudhër, spec djegës e degëza trumze.
View this post on Instagram