Shërbimet dentare, një nga më të rëndësishmet për shëndetin, janë mbyllur me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas autoriteteve, stomatologët rrezikojnë më shumë nga ky virus, sepse kanë kontakt të drejtpërdrejtë me spërklat e personave, që mund të jenë të infektuar me COVID-19. Gjatë kësaj kohe, njerëzit përballen me dhimbje dhëmbësh, infeksione të dhëmbëve dhe mishrave, e ka të tjerë që kanë lënë në gjysmë trajtimet dhe mbushjet e dhëmbëve për shkak të situatës.
Në vazhdën e situatës, të gjitha urgjencat dentare trajtohen në Klinikën Stomatologjike Universitare. Vetëm në dy javët e fundit të marsit, kjo klinikë ka trajtuar mbi 500 raste urgjencash dentare, duke ndjekur protokollin e sigurisë të aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Por si të kujdeseni për dhëmbët dhe çfarë të bëni nëse keni dhimbje gjatë karantinës?
Të kontaktuar nga AgroWeb.org, stomatologë të ndryshëm thanë se udhërrëfyesi i mëposhtëm është i duhuri për kujdesin e dhëmbëve në kohën e karantinës, por jo vetëm.
- Dhëmbët duhen larë dy herë në ditë.
- Sigurohuni që të fërkoni edhe gjuhën.
- Përdorni fillin dentar të paktën një herë në ditë.
- Bëni gargarë me ujë me kripë pas larjes së dhëmbëve.
- Shmangni ëmbëlsirat dhe pijet industriale dhe me gaz.
- Konsumoni rregullisht kos dhe qumësht.
- Pini sa më shumë ujë që të pastroni aciditetin e gojës.
- Bëni gargarë me ujë dhe kripë
Uji me kripë shërben si dezinfektant natyral për dhëmbët. Mbushni një gotë me ujë të ngrohtë dhe hidhni gjysëm luge kripë. Pasi kripa të jetë tretur pak, bëni gargarë me të për të paktën një minutë.
Jo, nuk mund të bëhet gargarë me alkool të tretur në ujë. Sado çuditshëm të tingëllojë kjo, besojeni. Alkoli që përdorim për dezinfektim (90%) nuk duhet përdorur në gojë, as i tretur në ujë, sepse do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në gojë.
Ilaçi më i mirë për të përdorur në rast dhimbjeje të papritur të dhëmbit është ai që lufton inflamacionin, siç është ibuprofeni. Stomatologët thonë që të shmangni aspirinën, sepse në kontakt direkt me dhëmbin mund të shkaktojë një ndjesi përvëluese.
Edhe hudhra është një alternativë natyrale kundër dhimbjes së dhëmbit. Shtypeni atë dhe përpunojeni në misker sa të formohet një pastë homogjene dhe mbajeni tek dhëmbi që ju dhemb. Besohet gjerësisht që hudhra zbut dhimbjen për shkak të alicinës që lufton bakteret natyral. Nëse dhimbja është si pasojë e një infeksioni, hudhra do ta zbusë atë përkohësisht.
E njëjta gjë vlen edhe për rakinë, e cila është përdorur edhe nga brezat paraardhës për të larguar dhimbjet. Si pasojë e përmbajtjes së lartë të alkolit, ajo ka tendencën të mpijë zonën e dhimbjes, por sërish nuk përbën një alternativë afatgjatë në trajtimin e dhimbjes.
Gjithashtu vaji esencial i karafilit është efikas në largimin e përkohshëm të dhimbjes së dhëmbit. Atë mund ta aplikoni te zona e dhimbjes me një pambuk. Nëse dhëmbi është i prishur dhe ka ekspozim të nervit, duhet ta aplikoni sa më pranë zonës ku dhemb.
Sidoqoftë, në rast dhimbjeje, është mirë që t’i telefononi stomatologut që frekuentoni rregullisht që t’ju japë medikamentin e duhur.
AgroWeb.org