Kanë kaluar jo pak, por plot 10 vjet që nga 29 prilli i vitit 2010, kur për herë të parë në Shqipëri u festua Dita Ndërkombëtare e Kërcimit, me nismën e Drejtores Ekzekutive të “Let's Dance”, Roberta Mone. Ndonëse ky vit i ka pasur mjaft të kushtëzuara aktivitetet artistike, përfshirë këtu edhe ato në fushën e baletit, nismëtarja e këtij eventi në Shqipëri, nuk mund ta harrojë përvjetorin e 10-të të kësaj date të shënuar, e cila u bë traditë vit pas viti në Shqipëri.

10 vjet pasi Shqipëria festoi për herë të parë në sheshin përpara Akademisë së Arteve “Ditën Ndërkombëtare të Kërcimit”, natyrisht kanë ndodhur ngjarje të jashtëzakosnhme në balet. Roberta Mone e vijoi këtë traditë për shumë vite me radhë, 2010-2015, duke përfshirë trupën e qendrës “Let’s Dance”, studentë të Akademisë së Arteve, valltarë të ansamblit “Tirana”, por edhe çdo vit më pas duke dhënë me dhjetëra shfaqje në ambiente të ndryshme të kryeqytetit. Çdo 29 prill, Roberta është pranë studentëve, pranë punës së saj dhe të gjithë atyre që i kanë dedikuar kësaj dite jo vetëm pasionin, por edhe profesionin e tyre.

10 vjet më parë… 29 prill 2010

Një eveniment i madh që vjen përpara publikut kryeqytetas nga koreografia e njohur Roberta Mone dhe me regji të Sonila Kapidanit, me një staf profesionistësh për të festuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore që zhvillohet në të gjithë botën. “Kërcimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Nëpërmjet tij ne themi fjalë që ndoshta të tjerët do të ishte e vështirë t'i kuptonin dhe flasim një gjuhë universale për të gjithë. Kjo na jep kënaqësi, na bën të lirë, na pajis ne qënieve njerëzore me mundësinë që të fluturojmë si zogjtë, duke na afruar më shumë me hyjnoren, me pafundësinë",- thotë drejtoresha artistike, Roberta Mone. 2010-a është hera e parë që e bën Shqipërinë pjesë të festimit mbarëbotëror të këtij evenimenti. Do të jetë një spektakël prej 2-orësh, pjesë e të cilit mund të jetë edhe vetë publiku, me moton: “Let's Dance on the I'ts International Dance Day!”.

Është një eveniment që festohet në të gjithë botën që në 29 prill të vitit 1982, i krijuar nga Këshilli Internacional i Kërcimit dhe UNESCO. Kjo ditë përkujton ditëlindjen e Zhan Zhorzh Noverit, i cili ishte një nga reformatorët e famshëm të kërcimit. Kjo ditë i kushtohet gjuhës që gjithkush nga ne mund të flasë, gjuhës së trupit dhe të shpirtit. Pyetur për qëllimin dhe mesazhin që përcjell kjo ditë, Roberta Mone, drejtore artistike e këtij evenimenti, thotë: “Kjo ditë inkurajon njerëzit e të gjithë moshave, artistët e të gjitha zhanreve të festojnë së bashku në një ditë të vetme. Kjo ngjarje kulturore mundësohet nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Spektakli ka përcjellë ritme të ndryshme muzikore ndërthurur me mjeshtëri nga artistë të rinj të Akademisë së Arteve në ritmin e Tangos, trupa e qendrës “Let's Dance” me zhanrin modern dhe profesionistë në kërcimet latine, gjimnastika ritmike dhe valle të traditës folklorike shqiptare". (Arkiva Shqiptare)

10 vjet më pas… 29 prill 2020

Së bashku me studentët dhe bashkëpunëtorët, Roberta Mone, edhe këtë vit ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kërcimit, me disa prej shfaqjeve të vëna në skenë në vite. Nisur nga kushtëzimet e krijuara nga situata e Covid-19, ishte e vështirë që këtë vit të organizohej një shfaqje e përmasave të mëdha, megjithatë, Roberta nuk e ka ndalur as pasionin për punën e saj, por as edhe përkushtimin ndaj studentëve të Universitetit të Arteve. Siç rrëfen ajo për Class, edhe në këto kushte, 29 prilli nuk mund të kalojë pa vëmendje, me gjithë kufizimet me të cilat duhet të përshtatemi të gjithë.

Edhe online, pedagogia e baletit në Universitetin e Arteve, vijon punën me studentët, në mënyrë që pasioni për artin të mos shuhet as brenda mureve të shtëpisë, përkundrazi, të shpërthejë edhe më shumë për të prekur qiej të rinj.