
Sot fëmijët kanë më shumë lodra, por luajnë më pak. Shpesh nuk kanë me kë të luajnë, shpesh nuk kanë as ku të luajnë…
Inkurajojini fëmijët të luajnë sa më shumë, mundësisht ato lojërat që bënit ju kur ishit fëmijë, kur nuk kishte smartphone. Ato lojërat ku bëheshit pis me rërë, ato lojërat logjike ku shkruhej në tokë, ato lojërat me ushqime prej dheu, të gjitha ato që stimulojnë shqisat dhe zhvillojnë trurin.
Për këto lojëra kanë nevojë sot fëmijët. Ne i quajmë lojërat sensore, por nuk janë gjë tjetër veçse lojërat që vënë në punë shqisat.
Nëse e inkurajoni lojën sensore në fëmijërinë e hershme, jeni duke e përgatitur fëmijën për të qënë i rritur. Le të shohim benefitet e lojës sensore në zhvillimin e trurit.
Truri ynë përbëhet nga triliona qeliza të quajtura neurone, që krijojnë lidhje mes tyre, të cilat quhen sinapse. Tri vitet e para janë periudha ku truri i fëmijës rritet me hapa galopantë.
Për ta kuptuar më mirë: ndërsa truri i të porsalindurit ka 30 trilionë sinapse, truri i një fëmijë tre vjeçar është rritur në 1000 trilionë sinapse.

Po si munden prindërit të stimulojnë zhvillimin e trurit gjatë fëmijërisë së hershme?
Truri ynë përdor shqisat për të komunikuar me ambientin që na rrethon, prandaj duke vënë në punë shqisat, shumëfishohen sinapset dhe realizohet rritja e shëndetshme e trurit.
Loja sensore përfshin të gjitha aktivitetet që stimulojnë shqisat e fëmijës, sidomos prekjen, shikimin, dëgjimin që janë më të zakonshmet, pa harruar shijen dhe nuhatjen.
Ta ekspozosh fëmijën ndaj stimujve të ndryshëm përmes lojës, do të thotë t’i krijosh trurit të tij mundësinë të bëjë eksperienca të ndryshme derisa të zhvillohet plotësisht kapaciteti i shqisave.
Përmes aktiviteteve shumë të thjeshta, prindërit mund të stimulojnë trurin në mënyrë të jashtëzakonshme, sidomos në tre vitet e para.
Disa sugjerime për të realizuar këto mrekulli për trurin e të vegjëlve:
1. Ktheni objektet e përditshmërisë në lodra për fëmijën tuaj.
Ndoshta e keni gjetur fëmijën tuaj duke luajtur me peshqir, lugë apo objekte të tjera të pazakonta. Inkurajojeni të manipulojnë me objekte me materiale të ndryshme. Kujtoni që çdo gjë në shtëpi me pak fantazi mund të kthehet në lojë sensore.
2. Luani me plastelinë me fëmijët mbi 2 vjeç, gjithmonë nën vëzhgim ose me brum të përgatitur vetë për fëmijë më të vegjël.
3. Vizatoni me bojëra duke përdorur gishtërinjtë, pëllëmbën e dorës ose shputën e këmbës së fëmijëve. Mos u shqetësoni për rrëmujën, por ktheni në prioritet zhvillimin e trurit të fëmijës.
4. Krijoni lojëra me makarona, oriz, fasule, në mënyrë që fëmija të manipulojë me duar dhe të stimulojë shikimin, prekjen dhe dëgjimin (mund të thyejë makaronat, të krijojë forma me oriz, të ecë mbi dyshemene me fasule dhe pafund aktivitete të tilla).
5. Përzgjidhni disa objekte në shtëpi me forma, madhësi dhe materiale të ndryshme dhe kërkojini fëmijës t’i gjejë çfarë janë pa i parë, vetëm duke i prekur.
6. Mbyllni sytë e fëmijës me një shami, jepini ushqime me shije të ndryshme dhe kërkojini t’i gjejë çfarë janë vetëm duke i shijuar.
7. Gjeni në telefon ose kompjuter audio me tinguj të ndryshëm, si tinguj kafshësh, zile telefoni, zhurmën e shiut dhe kërkojini fëmijës të mundohet të gjejë çfarë është përmes dëgjimit (mund t’i vendosni foto para që të bëjë lidhjen e tingullit që dëgjon me fotot).
8. Mundësojini fëmijës të luajë në natyrë me materiale si rëra, dheu, uji, të domosdoshme për zhvillimin e shqisave.

Përpos zhvillimit të trurit, loja sensore sjell përfitime të tjera si:
- Ndihmon zhvillimin e gjuhës
- Përmirëson aftësitë motorike
- Zhvillon imagjinatën
- Rrit ndërveprimin dhe aftësitë sociale
- Qetëson fëmijët kur janë të nervozuar ose përjetojnë ankth
- Janë argëtim i sigurt dhe motivues të fuqishëm për fëmijët tuaj
Kështu që, çfarë prisni ?! Le të fillojë loja, le t’i shumëfishojmë sinapset e trurit të fëmijës, le ta stimulojmë trurin e tyre në mënyrë optimale…
Punë të mbarë dhe lojë të këndshme!

Verona Gjergji, logopediste dhe terapiste ABA