Makroudh është një ëmbëlsirë tradicionale e Afrikës së Veriut (Marok, Algjeri, Tunizi, Libi) dhe Maltës. Emrin e ka marrë të tillë prej formës karakteristike që ka. Brumi mbushet me brumë hurmash arabie ose bajamesh dhe pasi piqen, zhyten në mjaltë. Zakonisht shoqërohen me çaj menteje.

Përbërësit për 15 copë:

• 500 gr miell semolina të imët

• 175 gr gjalpë të shkrirë dhe të ftohur

• 1 majë gishtash kripë

• 50 ml ujë lulesh portokalli

• 100 ml ujë në temperaturë ambienti

Për mbushjen:

• 200 gr brumë hurmash arabie

• ½ lugë çaji kanellë

• 1 lugë gjalpë

• 1 lugë gjelle ujë lulesh portokalli

Për t’i njomur :

• 500 gr mjaltë

• 1 lugë gjelle ujë lulesh portokalli

Mënyra e përgatitjes:

Fillimisht vendosni mjaltin me ujin e luleve të portokallit në një tenxhere të vogël. Vendoseni në zjarr të ulët derisa mjalti të tretet. Hiqeni mënjanë dhe lëreni të ftohet. Në një tas, përzieni së bashku miellin dhe kripën. Shtoni gjalpin e shkrirë dhe fërkojeni mes duarve miellin sa të përthithet i gjithë gjalpi. Mbuloni tasin dhe mbajeni mënjanë në temperaturë ambienti minimumi 1 orë deri 24 orë.

Pas kësaj kohe, shtoni te mielli ujin e luleve të portokallit dhe 100 gr ujë. Punojeni brumin për pak, mbulojeni dhe lëreni të pushojë 30 minuta. Ndërkohë përgatisni mbushjen. Vendosni në një mikser hurmat e arabisë pa bërthama, gjalpin dhe aromën e portokallit. Punojeni sa të bëhet si brumë.

Ndani brumin e hurmave në 2 pjesë dhe jepini formë cilindri sa trashësia e gishtit. Hapni brumin si në foto dhe bëni një kanal në gjatësinë e tij. Vendosni shiritin e brumit të hurmave në mes dhe mbylleni brumin me kujdes. Butësisht rrotulloni cilindrin e brumit duke e zgjatur pak më shumë. Sheshojeni pak me duar dhe bëni forma me anë të një thike sipër. Pritini në formë diagonale me madhësi 2 cm.

Vendosini në një tavë të veshur me letër pjekjeje dhe lërini të zbuluara 30 min. Pas kësaj kohe, piqini për rreth 30 minuta në pjesën e mesme të furrës, derisa të marrin ngjyrë të artë. Hiqini nga furra dhe me kujdes vendosni biskotat e nxehta te mjalti i ftohur. Lërini të njomen për 10 min. Më pas, lërini të kullojnë në një skarë teli dhe vendosini në një pjatë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Sosela ð??»ð??» (@sunnykitchen_) on