Përveç rrugës së njohur, parukierisë, ka edhe pesë mënyra të tjera, të pakushtueshme (sidomos gjatë kësaj periudhe kur ende ekziston frika nga Covid-19) për të realizuar fijet e dëshiruara në flokë.
Me limon: kombinimi i lëngut të limonit me diellin mund t’u falë flokëve ngjyrë tri herë më të çelur se ajo e flokëve natyralë. E vetmja gjë që duhet të bëni është të përzieni 1 lugë lëng limoni me 3 lugë ujë dhe të spërkatni flokët. Lërini flokët ashtu përreth një orë, duke i mbajtur në diell dhe më pas shpëlajini. Do e shikoni që ngjyra do të fillojë të çelet. Në fund është mirë të aplikoni në flokë një maskë hidratuese, sepse limoni ka tendencë t’i thajë ato.
Me kamomil: është një nga mënyrat tradicionale për flokë të artë. Zjeni kamomilin dhe lëreni të ftohet. Pasi t’i lani flokët me të, dilni në diell. Nuk është e nevojshme shpëlarja.
Me kanellë: përzieni një lugë të vogël kanellë me pak ujë, deri sa ta krijohet një masë e trashë. Më pas përziejeni këtë masë me balsamin që përdorni për flokët. Kjo maskë aplikohet në flokë të lagur dhe lihet për rreth pesë orë. Mund t’i mbështillni flokët edhe me një qese. Rekomandohet të përdoret para gjumit.
Me birrë: përveç se një nga pijet e preferuara të verës, birra mund të bëhet edhe produkti që do ju ndihmojë të keni fije natyrale. Çfarë duhet të bëni? T’i lani flokët me birrë natyrisht. Pasi ta keni bërë, lerini flokët ashtu për rreth dy orë. Në vazhdim shpëlajini me ujë të vakur.
Uthull molle: jeni gati për të larë flokët? Gjysmë ore para, përzieni dy filxhanë me uthull me 12 filxhanë ujë dhe shpëlajeni kokën. Në vazhdim lajini si zakonisht. Të njëjtën përzierje mund ta aplikoni edhe pas larjes.