Është kohë pandemie, nuk ka koncerte, as udhëtime, as produksione të reja në muzikë aq sa jemi mësuar të shohim gjatë stinës së verës, por këta elementë nuk janë aspak pengesë kur bëhet fjalë për Noizy-n. Nëse vjen e premtja, qëndroni gjithmonë gati, nëse jeni fansa të Noizy-t, sado e rëndë të jetë situata, sepse ai ka një këngë për të publikuar dhe një tjetër që pret në sirtar… Të paktën!

Ka vetëm 24 orë që është publikuar kënga e fundit që, pa asnjë dyshim, do të bëhet hit i ditëve të nxehta e do të shoqërojë plazhet këtë verë.

“All Dem Talk” është kënga e fundit që Noizy ka publikuar mesnatën e së premtes në bashkëpunim me dy artistët ndërkombëtarë, Gzuz & Dutchavelli.

Në vetëm 24 orë, kënga ka regjistruar më shumë se 2 milionë klikime në YouTube dhe trendi është gjithmonë në rritje. Vetëm pak orë pas publikimit, “All Dem Talk” hyri në toplistat e trendeve muzikore në më shumë se 10 vende europiane, si Gjermani, Itali, Austri etj.

Kënga dhe i gjithë produksioni i saj është punuar me kujdes të veçantë nga reperi shqiptar dhe bashkëpunëtorët, Gzuz & Dutchavelli.

Edhe një herë tjetër, Noizy ka treguar se është i pakonkurrueshëm në këtë garë klikimesh dhe sa më shumë jetë të ketë kënga, aq më shumë regjistron ai shikueshmëri. Arsyet e suksesit mund të jenë disa, ama ato që janë më të forta e që Noizy ua ka nuhatur suksesin janë 3.

1. Kreativiteti

Natyrisht, të qenit kreativ është art, e mjeshtëri ta përdorësh atë në çdo produkt të ri që nxjerr në treg. Hip hop-i nuk është thjesht dhe vetëm një ritëm standard muzikor që përsëritet. Nëse brenda tij nuk ka krijimtari, këngët nuk do ishin sukses. Këtë mjeshtëri, Noizy e ka zotëruar herët, ndaj edhe përdor elementë të rinj në çdo këngë të re. Brenda muzikës dhe ritmit të saj, ai eksperimenton duke njohur pikat e forta jo vetëm të zhanrit muzikor që lëvron, por po ashtu noton në ujëra të sigurt brenda notave të zërit të tij karakteristik.

2. Bashkëpunëtorët

Kush më shumë se ai njeh çdo repist që del në treg? Jo vetëm ata të suksesshmit, por edhe të rinjtë që kanë një stil të veçantë të të kënduarit rapp, bëhen shokë e bashkëpunëtorë me Noizy-n në produksionet e tij të reja. Siç ka ndodhur edhe në këtë rast. Gzuz & Dutchavelli nuk janë të panjohur për tregun muzikor, por bashkë me Noizy-n, ata krijojnë një trini që duket qysh në orët e para pas publikimit të këngës që do të jetë e suksesshme dhe do të bëjë bashkë të gjithë fansat anembanë botës.

3. Elementi shqiptar

Këtu është edhe pika më e fortë e reperit shqiptar. Nëse nuk ka elementë shqiptarë brenda një kënge, një klipi të ri, dijeni që nuk është Noizy. Nëse e nisni nga veshjet, e njihni markën e famshme Illyrianbloodline, që financon veshjet e Noizy-t, por mund të vazhdoni me aksesorë të tjerë nga klipi, stadiumi i ri “Arena Kombëtare”, ngjyrat kuq e zi që i japin dritë herë pas herë klipit, por edhe detaje të tjera patriotike (krenaria e dibranit në tekst) që për Noizy-n janë shumë të rëndësishme. Ai e di tashmë që të tregosh origjinën dhe ta pranosh atë me krenari, edhe në muzikë, pa dyshim, është një element që të gjithë do ta duan… Noizy-n, edhe më shumë.

Një arsye e katërt, e pestë, e gjashtë…. Është investimi i madh që bën artisti shqiptar për muzikën e tij dhe për të gjithë ata që e duan.