Një rrëfim për dy brigje, sa të njohura aq edhe të panjohura për njëra-tjetrën, për njerëz të ndryshëm, por në thelb të ngjashëm.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Nga veranda jote duket shtëpia ime” është vëllimi i parë me tregime i autorit shqiptaro-italian Elvis Malaj. Në 12 tregimet e tij vërtiten dy botë sa të ndryshme, aq edhe të njëjta. Dy botë që ballafaqohen me njëra-tjetrën përmes gjuhës, botëkuptimit, emocioneve, traditës dhe risisë, të njohurës dhe të panjohurës.

Malaj rrëfen pa dorashka dhe pa klishe jetën e vërtetë të të rinjve shqiptarë në Itali dhe në Shqipëri; rrëfen për bulizmin, seksin, familjen, stereotipat, gëzimet, dhembjet, jetën e zakonshme, mospërshtatjen dhe trazimin e emigrantit, por me një këndvështrim krejtësisht të ri dhe të freskët, larg shablloneve tashmë të gatshme.

Tregimet e tij nuk përfaqësojnë thjesht të qenit shqiptar, ato janë tregime për qenie njerëzore, që vuajnë, grinden, qeshin, bëjnë marrëzira, dashurojnë dhe urrejnë.

Ato janë të këndshme, zbavitëse dhe rrëmbyese. Në qendër të tyre, përveç ndonjë rasti të rrallë, janë të rinj shqiptarë të rritur në Itali dhe si italianë, ndoshta dhe alterego të autorit. Rinia nga njëra anë dhe identiteti shqiptar nga ana tjetër janë dy anët e së njëjtës monedhë, që Malaj arrin të na i sjellë si një ndarje e thellë, por kurrë banale e shoqërisë italiane.

“Nga veranda jote duket shtëpia ime” u rendit ndër 12 kandidatët më të mire të çmimit “Strega” 2018.

Kritika

Është një libër i pazakontë, grotesk, i kthjellët, i dashuruar, mburracak, sentimental: i guximshëm. Regjistri tragjikomik është më i vështiri: këtu, kemi dikë që e përdor me lirshmërinë moskokëçarëse të njeriut që e di se ka shumë për të treguar; dhe ajo që ka për të treguar është vetë jeta.

                                                                                                                                Sandro Campani, shkrimtar

Në tregimet e Malajt – sepse bëhet fjalë për tregime dhe ky më duket një tjetër arsye interesi – matet gjithë distanca mes ëndrrës dhe realitetit, dhe demonstrohet se ç’do të thotë “i huaj” qoftë në Itali, qoftë në Shqipëri.

                                                                 Luca Formenton, akademik, president i shtëpisë botuese “Il Saggiatore”

Largësia që përshkon jetën e personazheve të Malajt është e brendshme dhe shfaqet përmes cinizmit që, në të vërtetë, fsheh diçka të kundërt, pra vetminë e tij melankolike, të projektuar në kërkim të vendit që i takon në këtë botë.

                                                                                                                                                   Il Manifesto

Prania e një narratori kryesisht të jashtëm dhe gjithëpërfshirës, së bashku me këndvështrimin ironik dhe zgjedhjen e një gjuhe të ngjyrosur nga një "realizëm i pisët", krijon mundësinë për të ruajtur largesën e duhur (emocionale, por edhe kulturore) si nga shoqëria pritëse, ashtu edhe ajo amtare.

                                                                                                                                L’indice dei libri del mese

Autori

Elvis Malaj, ka lindur në Malësi të Madhe, më 1990. Në moshën 1-vjecare, shpërngulet në Itali bashkë me familjen e tij. “Nga veranda ime duket shtëpia jote” është vëllimi i tij i parë me tregime, botuar më 2017. Ka botuar dhe ka fituar çmime të ndryshme letrare për tregimet që ka shkruar.

Sot, punon e jeton në Padova.

Fragmente nga libri

1) Të ndihesh mirë ose jo diku, nuk varet nga vendi ku je, por nga vetvetja. Kudo që shkon, merr gjithnjë me vete diçka që, në fund të fundit, e bën çdo vend njësoj si gjithë të tjerët.

2) Për mua, fakti i të qenit shqiptar nuk ka qenë kurrë faktor diskriminues, përkundrazi, ishte ai detaj që më jepte një nuancë ekzotike dhe më bënte më tërheqës; jo për t’u mburrur, por në të vërtetë, gjithmonë kam qenë donzhuan.

3) I biri pesëmbëdhjetëvjeçar dilte kur t’i tekej, natyrisht, vetëm se ai ishte një tip më i mbyllur dhe, me t’u kthyer nga shkolla, rrinte tërë ditën brenda katër mureve. Një herë i pat thënë: “Ej, babi, bëra seks”.

Xhaxhai qe ngritur në këmbë dhe i kishte dalë para: “Je vetëm pesëmbëdhjetë vjeç dhe që tani ke bërë seks?! Pa hajde këtu, more playboy i babushit!”, ia kish kthyer shend e verë, duke i rrahur disa herë shpatullat.

– Bashkim, a e dëgjove? Ka bërë seks! Ai është një tip që, si ta them, urtë e butë, rri në një qoshe, po në fund i shkep të gjitha. Eh, sa shpejt rriten fëmijët. Dje ishte çilimi, sot është bërë burrë.

– O ba, po dhimbjet në bythë kur të pushojnë?

Në fillim, xhaxhai nuk e kuptoi pyetjen, por mandej u mpi, nuk i doli më asnjë tingull nga goja, dukej mu si një bishë te kasapi. Në atë pikë, Bashkimi dhe kushëriri ia plasën gazit.

 

Titulli: Nga veranda jote duket shtëpia ime

Titulli në origjinal: Dal tuo terrazzo si vede casa mia

Autor: Elvis Malaj

Përktheu: Beti Njuma

Zhanri: Tregime

Data e botimit: qershor, 2020

Numri i faqeve: 156

Çmimi: 700 lekë

Koleksioni: Mozaik