Një virus i ri gripi, me potencial për të shkaktuar pandemi, është zbuluar në Kinë nga shkencëtarët. Virusi ndodhet te derrat, por sipas shkencëtarëve mund të infektojë edhe njerëzit.

Studiuesit janë të shqetësuar se virusi mund të pësojë mutacione dhe mund të përhapet shpejt nga njeriu në njeri, duke sjellë një shpërthim global. Ata thonë se nuk është një problem urgjent, por ka mundësi që të mund të infektojë njerëzit, prandaj ka nevojë për monitorim. Vlen të theksohet se si një virus i ri, njerëzit kanë pak ose aspak imunitet ndaj tij.

Rikujtojmë që pandemia e fundit që përjetoi bota para koronavirusit, ishte ajo e gripit të derrave në 2009-ën, që ishte më pak vdekjeprurëse nga ç’mendohej, sepse shumë njerëz të moshuar kishin imunitet ndaj saj. Kjo me shumë mundësi për shkak të ngjashmërisë së madhe që gripi i derrave kishte me viruset e tjetër të gripit që kishin qarkulluar vite më parë. Nga ky virus, i njohur si A/H1N1pdm09, njerëzit mbrohen nga vaksina vjetore e gripit.

Ndërsa virusi i ri që është zbuluar në Kinë ka ngjashmëri me gripin e derrave, por ka edhe disa ndryshime.

Deri tani nuk shihet si një kërcënim i madh, por studiuesit thonë se duhet të monitorohet.

Virusi, të cilin studiuesit e kanë quajtur G4 EA H1N1 mund të rritet dhe të shumëfishohet në qelizat që ndodhen në rrugët e frymëmarrjes së njerëzve.

Ata gjetën gjurmë të infeksionit të ri te njerëzit që kanë punuar në thertore dhe industrinë e derrave në Kinë, nga të dhënat e viteve 2011-2018.

Vaksinat aktuale të gripit nuk duket se mbrojnë kundër tij, megjithëse ato mund të përshtaten për ta bërë këtë, nëse do të jetë e nevojshme.