Një ngjarje e rëndë është regjistruar së fundmi në radhët e policisë së shtetit shqiptar! Protagonistë këtë herë janë dy policë të rrugores, të identifikuar si Laurenc Duda dhe Henrik Zelija, të cilat sipas raportimeve zyrtare janë vënë në pranga mbrëmjen e djeshme për një akuzë të rëndë.
Kështu, mësohet se pas ankesës së një shofereje të re, makina e së cilës një fouristradë "Range Rover", qytetarja është shprehur se automjeti i saj është mbajtur peng për muaj me radhë nga dy efektivët pasi këta të fundit i kanë kërkuar në këmbim, favore seksuale dhe para, në mënyrë që mjeti të nxirrej nga bllokimi.
Henrik Zelija rezulton se ka mbajtur detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, ndërsa eprori i tij ka qenë Laurenc Duda shef seksioni për verifikimin e shkeljeve administrative.
Makina është bllokuar në shtator të 2019-ës si provë materiale e një ngjarje të ndodhur dhe prej asokohe edhe pse duhej të kthehej ky mjet, dy oficerët kanë refuzuar. SPAK bën me dije se "janë siguruar prova se me veprimet dhe mosveprimet me dashje, në një periudhe kohore relativisht të gjatë, kanë zvarritur procedurat ligjore të dorëzimit të automjetit me qëllim përfitimin e favoreve të mësipërme, duke konsumuar elementë të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv". Ky është rasti i parë kur SPAK që pas krijimit vë në pranga zyrtarë si në këtë rast policë për afera seksuale dhe korrupsioni.