Pas të ndjerit, mjekut të mirënjohur Arjan Pushi që ndërroi jetë pak ditë më parë në spitalin Infektiv për shkak të koronavirusit, një tjetër viktimë në radhët e bluzave të bardha është shënuar vetëm pak minuta më parë në vendin tonë.
Sipas, njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr.Hysni Shkjau e ka humbur përgjithmonë betejën me "armikun e padukshëm" këtë mëngjes, pavarësisht përpjekjeve të kolegëve të tij.
Njoftimi i ministrisë:
"Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre
Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin Infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij.
Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim"!