Një ekspert kryesor për kontrollin e sëmundjes në Kinë ka deklaruar se shpërthimi i koronavirusit në vend 'tashmë ka përfunduar'.

Dr. Zhang Wenhong, i cili ka udhëhequr luftën kundër COVID-19 në Shanghai, e bëri deklaratën sot, ndërsa po fliste në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale në Shanghai.

Ai theksoi se vaksinat që po zhvillohen nga studiuesit kinezë kundër koronavirusit do të bëheshin për t’u përdorur në të ardhmen, sepse sipas tij epidemia ka kaluar.

Kina ka raportuar 7 infeksione të reja sot, duke e çuar numrin total të të prekurve me koronavirus në 83.581.

Në vend ekziston frika e një shpërthimi të ri, mirëpo mjeku kinez pretendoi se diçka e tillë s'do të ndodhë.

Dr Zhang, 50 vjeç, i tha audiencës:

“Inteligjenca artificiale po zhvillohet me shpejtësi sot, por më vjen keq t'ju them të gjithëve që Kina e ka mbajtur shpërthimin e koronavirusit nën kontroll me mençuri tradicionale dhe me menaxhim të mirë. Kanë kaluar gjashtë muaj dhe shpërthimi i koronavirusit të Kinës tashmë ka përfunduar. Të gjitha ilaçet dhe vaksinat që ne po zhvillojmë tani, janë bërë për t’u përdorur në të ardhmen.”

Deklarata e Zhang vjen pasi një ekspert tjetër mjekësor në Kinë, Prof Feng Lushao, ka paralajmëruar se koronavirusi do të qëndrojë me qeniet njerëzore për një kohë të gjatë. Disa kohë më parë, ai u bëri thirrje kinezëve që të ndryshojnë stilin e jetës së tyre për t'iu përshtatur një normalitetit të ri, i cili përfshin kontroll të rregullt të virusit.

Ndërkohë në të gjithë botën, numri i të prekurve nga Covid-19 ka arritur në 12 milionë dhe të paktën 548,000 njerëz e kanë humbur betejën me virusin.

Përshtatur nga Daily Mail