Vetëm pak minuta më parë, nga qendra shëndetësore nr.8 në kryeqytet, ka qenë minstrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastiriliu që bëri me dije një fakt shumë të rëndësishëm në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria dhe bota mbarë për shkak të Covid-19!

Po zyrtarizohet vendimi përmes aktit normativ që mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura do të jetë detyrim, në të kundërt në shkelje të këtij vendimi do të ketë sanksione për bizneset dhe gjoba për qytetarët.

“Me vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve kemi vendosur që maskat/barrierat mbrojtëse, ashtu siç i kemi përcaktuar të jenë të detyrueshme në transportin publik apo në aktivitetet me rrezikshmëri të lartë, tashmë do të jenë të detyrueshme për të gjithë individët për t’u përdorur në ambientet e mbyllura. Do të jetë një përgjegjësi më shumë e të gjithë qytetarëve, për të mbajtur barrierat mbrojtëse, kudo në ambientet e mbyllura. Të gjithë ata individë që nuk do ta përdorin barrierën mbrojtëse, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të penalizohen”, u shpreh Manastiriliu.

Detyrimi për vendosjen e barrierave mbrojtëse në ambientet e mbyllura do të përcaktohet me aktin normativ, ku do të detajohen edhe penalitetet për mosrespektimin e këtij detyrimi në ambientet e mbyllura.