Ka më shumë se katër muaj që e shohim në çdo ekran duke dhënë këshilla e duke përsëritur rregulla. Nuk mërzitet kurrë duke iu drejtuar publikut dhe të gjithë qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të zbatojnë rregullat: “Virusi është pranë nesh, të jemi të kujdesshëm…” – vijon ai sa herë del në një ekran. Aq familjar është bërë për të gjithë ne, saqë besonim çdo fakt në lidhje me koronavirusin vetëm nëse e konfirmonte Pëllumb Pipero…

Nga një mjek infeksionist në Shërbimin Infektiv në Tiranë, në heroin e të gjithëve, për plot katër muaj me radhë, Pipero erdhi si piperi në tryezën tonë për t’u kthyer në njeriun e shpresës. Pavarësisht memeve me humor, mesazheve të pafundme në rrjetet sociale, Pipero vazhdon misionin e tij dhe komunimin e hapur me të gjithë qytetarët për çdo të re që vjen nga Covid-19. Me qetësinë që e karakterizon gjithmonë… Si edhe sot, me shumë qetësi, ndërsa rrëfeu anën tjetër të vetes në “Rudina”…. Pas së cilës, të gjithë ne, do ta duam më shumë.  

I lindur në Skrapar, në një familje me shumë halle, kur ishte në moshë fare të vogël, familja e Pëllumb Piperos u tranferua në Vorë. Aty, mjeku përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare dhe të mesme. Pas një viti stazhi pune, nisi studimet e larta për mjekësi në Tiranë, me shumë vështirësi, por me një bursë që ndihmoi të gjithë familjen asokohe. Në vitin e tretë të studimeve të larta, Pipero humbi të ëmën kur ajo ishte vetëm 40 vjeç. Vëllai më i vogël ishte 5-6 vjeç. Babai nuk u martua më dhe të gjithë bashkë iu përkushtuan njëri-tjetrit: “Nëna na la shumë herët. Ka vdekur 40 vjeç, vëllai i vogël ishte 5-6 vjeç, babai nuk u martua më. Atë bursën që merrja e ndaja me të gjithë. Isha në vit të tretë në fakultet. Natën punoja në fabrikën e tullave në Vorë, ndërsa ditën ndiqja shkollën… Pasi mbarova studimet e larta me mesatare shumë të mirë, afro 9.9, u propozua që të më mbanin aty, por nuk funksionoi. Edhe asokohe duhej një referim…”, - kujton Pipero.

Fill pas kësaj kohe, e kërkon mjek Spitali Ushtarak, në të cilin pak kohë më vonë do të njihte edhe njeriun e jetës së tij. Moza, sot bashkëshortja e mjekut, vazhdonte shkollën e mesme për infermieri, por në pushimet verore punonte në Spitalin Ushtarak: “Ishte shumë simpatike dhe shumë e shkathët…” – tregon Pipero pak i sikletosur. Nuk e dinte që vetëm pak kohë më pas, do të largohej që aty për t’u transferuar në mjekun e një reparti ushtarak. Por tashmë me një peng: “Më çuan doktor në një repart ushtarak, por ishte një periudhë e keqe. Kalova në depresion. Halle të mëdha në familje, halle në jetën personale…”

Por do të kalonte kjo fazë e mjeku e gjeti veten sërish në Tiranë, ku do të krijonte familje. Sot, baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe gjysh me nip e mbesë, Pipero ndihet i plotësuar: “Kam një familje të mrekullueshme. Ju më pyetët sa vite kam i martuar, por mua më duket sikur kam lindur me Mozën”, - thotë me të qeshur duke vijuar të flasë me adhurim për vajzën dhe djalion, të cilët, ashtu si ati, kanë vijuar e kanë shkëlqyer në rrugën e tyre.

Megjithatë, familja e Piperos ka marrë një vendim gjatë kësaj periudhe pandemie: “Familja ime ka marrë një vendim, të mos jetë pjesë e medias. Ata e kanë quajtur sfidën time”, - thotë mjeku, por thekson se ky është vendim i përkohshëm, sepse në një moment të dytë, edhe ata mund të jenë pjesë e medias…

Jashtë spitalit, jashtë punës së palodhur që tashmë ia njohim të gjithë, mjeku ndan edhe shumë pasione të tjera, si ai për vrapin dhe ecjet në natyrë. Nuk mund të rrijë pa këshilluar edhe në këtë rast për të mirat e shëndetit kur gjendesh më pranë natyrës. E anashkalon me mençuri linjën e jetës personale për të kaluar te shëndeti publik – atij që ia dedikon jetën prej pothuaj 4 dekadash. Jo sepse është hero ashtu siç na pëlqen ne ta quajmë, por sepse e ndien më shumë se të gjithë ne përgjegjësinë e shëndetit të mirë. Dhe të zemrës së mirë që ka në kraharor.