Hakerimi i profileve të ndryshme në rrjetet sociale është sot një nga fenomenet më kërcënues në lidhje me të dhënat personale dhe identitetin! Por, kur "pre" e këtyre sulmeve kibernetike bien personazhe me reputacion publik, ngjarja merr përmasa të jashtëzakonshme. Prej ditës së djeshme, vjedhja e llogarive në Twitter të disa prej personaliteteve më të rëndësishëm në botë është kryelajmi i mediave dhe rrjeteve sociale.

Llogaritë në Twitter të ish-presidentit Barack Obama, të yllit Kim Kardashian, të miliarderit të Tesla-s Elon Musk, të Bill Gates e plot të tjerëve janë vjedhur. Në përpjekje për të finalizuar një mashtrim përmes bitcoin(monedhës elektronike), llogaritë e këtyre të famshmëve janë vjedhur duke e shndërruar këtë në ngjarjen më spektaklore të viteve të fundit. Përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë reaguar zyrtarisht edhe disa prej "viktimave" të këtij sulmi kibernetik, si Elon Musk apo Barack Obama. 

Pas ngjarjes, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i zëdhënësit të Twitter-it që është shprehur se gjithçka po shihet me shumë prioritet dhe kujdes. "Kemi të bëjmë me një sulm të koordinuar të inxhinierisë sociale, nga njerëz që arritën me sukses tek disa prej punonjësve tanë me akses në sistemet dhe mjetet tona të brendshme. Ne dimë se sulmi është përdorur për të marrë kontroll të disa llogarive të verifikuara dhe ndërkohë po shohim se çfarë aktiviteti tjetër dashakeq mund të jetë kryer. Do të ndajmë me ju më shumë informacion, sapo ta kemi”, është shprehur ai.