Një refren 4-vjeçar mes notave të së njëjtit pentagram, nën monitorimin e raportimin e ndërkombëtarëve si çelësi i Solit pa të cilin nuk ekzekutohet asnjë tonalitet, këndohet si hymn në shërbim të partisë. Çdo instrument probabël për t’i dhënë muzikalitet maskimit të fushatës që mjafton së jashtmi të jetë bindëse, përdoret nën trysninë e plotësimit të çdo pike interesi që gjendet në prapaskenë, aty ku ndriçimi i së vërtetës mohohet si imazh për filmim.
Zgjedhjet qendrore po afrohen e replikat për mbarëvajtjen e tyre s’po kursehen nga asnjë forcë politike, parashtrimi i interesave kombëtare të të cilave s’udhëheqin listën e prioriteteve të tyre sikundër rëndom pretendohet. Në arenën politike të aktualitetit po hartohet skena e platformës aplikative të kushteve zgjedhore, mbi të cilat do të sigurohen standardet e votëbesimit. Qartazi, lidershipi i çdo partie ngulmon në shpalosjen e kritereve që i shtron rrugën drejt fitores individuale pa u ndalur në legjitimitetin apo suportin e elektoratit për pikat që deklarohen. Draft-marrëveshja e 5 Qershorit, ku parashikohet proçesi elektronik e depolitizimi i komisionerëve, është një hap më afër demokracisë funksionale e integritetit zgjedhor, por ende cënueshmëria e akteve proceduriale të listave vijon. Listat e mbyllura janë reflektim i një pushteti autokrat, një pasqyrë totalitarizmi që të indukton trajektoren e kreut të partise, në të kundërt çdo alternativë sfiduese ndaj tij mund t’iu kushtojë kandidatëve ligjvënës jo pak. Nën trysninë e pushtetit, çdo lider partie ka mundësinë e privatizimit të kapitalit politik e të sigurojë të vetmin shtrat ku mund të rrjedhë fryma e partisë. Një centralizim absolut nuk duhet të jetë opsion i një vendi demokratik, një proces i mbyllur me dritëhije influencash është i ekspozuar ndaj nepotizmit, mohimit të meritokracisë, reklamimit të të paaftëve, destabilizimit të mjedisit politik. Ofertat joshëse të mekanizmave ndërhyrës mund të sabotojnë çdo formë të sistemit zgjedhor, por në listat e mbyllura terreni është më premtues. Sistemi aktual proporcional rajonal me lista të mbyllura s’do të prodhonte kaos përfaqësimi nëse forcat politike do të jetonin nën renë e një demokracie të brendshme, por sa kohë kjo e fundit mungon, ky proces çedon.
Në zgjedhjet e intervalit prill-maj që do të mbahen vitin e ardhshëm, ujdia politike mund t’i ofrojë shqiptarëve prekjen e listave të hapura, por jo afirmimin total të tyre. Të kesh mundësinë e të zgjedhurit vetëm 1/3 e atyre që do të të përfaqësojnë në vendimet e shëndetësisë, infrastrukturës, ekonomisë, arsimit, diplomacisë është pak. Hapja e listave nuk e bën të paprekshëm apo imun procesin nga instrumentet ndërhyrës, por ka një standard që qëndron më afër konsolidimit të vendimit të zgjedhësve. Shpesh, sidomos në bindjet e trashëguara politike, shihet një tendencë për të votuar partinë e parapëlqyer pa analizuar listën e kandidatëve që ajo paraqet, ndoshta rrjedhojë e pamundesisë për të ndryshuar ndonjë emër. Në këtë formë, në listat e mbyllura pergjegjësia bie direkt mbi kreun e partisë, ndërsa listat e hapura nevojiten medoemos të trajtohen imtësisht bazuar në profilin e secilit kandidat, pasi një zgjedhje e gabuar mund të udhezojë në një çorb me mandat të panevojshëm. Listat e hapura i veshin kandidatët me pavarësi, mundësi më të madhe të kartonit të kuq, përgjegjësi e aftësi për të nxitur revoltën ndaj pushtetit. Në këto ujëra më të qeta, një tjetër mandat nuk financohet nga lideri i partisë, por nga besimi i fituar i sovranit përgjatë veprimatrisë politike. Politikanët i tremben gjykimit të qytetarëve, ndaj kanë mohuar rishtazi të përballen në një betejë të munguar. Mungesë pa arsye!
Listat e mbyllura janë ushqim i konservuar, i modifikuar, toksik për stomakun e uritur të shqiptarëve të furnizuar ndër vite me mbetjet e tryezave të politikës. Era e ndryshimit starton nga mundësia e zgjedhjes. Shija e një epoke reformuese është shpresa që mban zgjuar ëndrrat e kombit më të lashtë të Ballkanit.