Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hoti nëpërmjet një postimi në Facebook. Siç shkruan krei i qeverisë së Kosovës, nuk ka shenja apo simptoma përveç një kolle shumë të lehtë.
Hoti njoftoi se për dy javët e ardhshme do të jetë në izolim, por detyrimet shtetërore do t’i kryejë nga shtëpia.
“Sot e kam bërë testin për Covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kolle shumë të lehtë. Nga sonte, jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”,- shkruan Hoti.
Përveç Kryeministrit, në Kosovë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dalë pozitiv me Covid-19, ndërsa më herët ishte infektuar edhe Kreu i LDK-së, ISa Mustafa, i cili njoftoi para pak ditësh se është shëruar plotësisht.