Koronavirusi ka marrë edhe një jetë tjetër nga stafi mjekësor, pas mjekëve Hysni Shkjau dhe Arjan Pushi. Mjeku pneumolog Anibal Byberaj ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pas disa ditësh në gjendje të rëndë.

Pasi u trajtua nga kolegët e tij në ish-Sanatorium, Byberaj nuk e fitoi dot betejën dhe ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme.

Pas këtij lajmi të hidhur, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka ndarë në llogaritë e saj mesazhin e mekjes së Shërbimit Onkologjik në QSUT, Dhurata Tarifa, e cila u është drejtuar me një apel të gjithë qytetarëve që të mbajnë maska, të ruajnë distancimin social dhe të mbajnë higjienën personale.

Sipas mjekes, në shërbimin onkologjik deri tani nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me Covid-19.

Prej 6 muajsh po bashkëjetojmë me një virus të padukshëm shumë virulent. Në mungesë të një vaksine për të luftuar këtë virus mbetet opsioni i vetëm, mbrojtja. Mbrojtja është në tri forma. Së pari, vendosja e një maske, e cila duhet të jetë shumë e puthitur në fytyrë. Së dyti, është distancimi fizik. Dhe së treti është higjiena personale dhe ajo territoriale”,- thekson mjekja.