Apple ka konfirmuar se data e hedhjes në treg të iPhone 12 do të shtyhet të paktën deri në tetor, për shkak të izolimit nga koronavirusi që shkaktoi ndërprerje në zinxhirin global të furnizimit.

Por pavarësisht ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit, shitjet e iPhone raportohet se u rritën me 2% në krahasim me vitin e kaluar, gjë që sipas TechRadar, Apple ia atribuon modelit iPhone SE 2020. Firma gjithashtu ka konfirmuar se shitjet e iPad dhe Mac kanë pësuar rritje dyshifrore, përkundër ndikimit të COVID-19.

Më parë është thënë se Apple do të nxjerrë katër versione të iPhone këtë vit - 12, 12 Max, 12 Pro dhe 12 Pro Max, me madhësi të ekranit përkatësisht 5.4, 6.1, 6.1 dhe 6.7 inç.

Sipas analistit tëYuanta Investment Consulting, Jeff Pu, çmimet për iPhone 12 ka të ngjarë të fillojnë me 593 £ (749 dollarë) - disi më të larta se çmimi fillestar i shitjes së iPhone 11, prej 554 £ (699 dollarë).

iPhone 12 thuhet se do të mbështesë teknologjinë wireless 5G. Në vendet ku tashmë është krijuar infrastruktura e nevojshme, këto aparate të aktivizuar 5G do të ofrojnë shpejtësi superiore të shkarkimit.