Sipas një raporti të fundit të agjencisë “Reuters”, janë më shumë se 18 milionë njerëz në mbarë botën që janë infektuar me COVID-19 dhe 688.080 të tjerë që kanë vdekur. Në këto kushte, duket se e gjithë bota po kërkon shpëtimin te vaksina kundër virusit. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi këtë të hënë se mund të mos ketë kurrë një vaksinë efektive për COVID-19, ndaj edhe rruga drejt normalitetit do të jetë e gjatë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, dhe kreu i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, kanë nxitur kombet në të gjithë botën të zbatojnë me rigorozitet masat shëndetësore:

- mbajtja e maskës,

- distanca fizike,

- larja e duarve

- testimi.

“Një numër vaksinash tani janë në fazën e tretë të studimeve klinike dhe të gjithë shpresojmë të kemi vaksina efektive, që mund të ndihmojnë në parandalimin nga infeksioni. Sidoqoftë, nuk ka asnjë ‘plumb argjendi’ ndaj COVID-19 për momentin, mbase mund të mos ketë kurrë”,- tha kreu i OBSH-së. Sipas tij, ekzistojnë ende shqetësime se “mund të mos kemi një vaksinë që do të funksionojë ose mbrojtja nga ajo mund të jetë vetëm për disa muaj, jo më shumë”. Megjithatë ai theksoi se asgjë nuk dihet, derisa të përfundojnë provat klinike të disa vaksinave që duken premtuese, por kjo, pa dyshim, do të kërkojë ende kohë. Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi organizata paralajmëroi se pandemia, me shumë gjasë, do të jetë e gjatë. Një numër i konsiderueshëm vaksinash po testohen në botë, në përpjekje për të gjetur kurën ndaj virusit COVID-19.