“Mbi 100 persona kanë humbur jetën deri tani. Ekipet tona janë ende në operacione kërkimi dhe shpëtimi në zonat përreth”,- tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettani, në një deklaratë të fundit për mediat pas shpërthimit të fuqishëm në Liban.
Por shifrat e të vdekurve rriten dhe, për fat të keq, edhe ato të të plagorve që kërkojnë ndihmë mjekësore.
Libani është në zi pas shpërthimi tronditës në kryeqytetin e tij, Beirut, i cili deri tani raportohet se u ka marrë jetën të paktën 100 personave.
Sipas mediave ndërkombëtare, numri i të plagosurve ka shkuar më shumë se 4 mijë.
I gjithë vendi u trondit nga shpërthimi, i cili filloi me një zjarr në port. Presidenti Michel Aoun tha se 2,750 ton nitrat amoniumi ishin ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo prej gjashtë vitesh.
Presidenti i Libanit ka thirrur një takim urgjent të kabinetit të mërkurën dhe paralajmëroi shpalljen e një gjendjeje të jashtëzakonshme dyjavore.
Vendi do të jetë në zi për tri ditë duke nisur nga e mërkura.
Presidenti Aoun njoftoi gjithashtu se qeveria do të akordojë 100 miliardë lira (50.5 milion dollarë) fonde për raste emergjente si kjo.
“Ajo që po dëshmojmë është një katastrofë e madhe”,- tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit. “Ka viktima kudo”.