Ka mbetur i vdekur pas një sulmi të papritur në Çikago reperi i njohur, FBG Duck. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së martës dhe sipas raportimeve të policisë, janë qëlluar me armë zjarri tre persona. Nga të shtënat ka mbetur i vdekur në vend 26-vjeçari i identifikuar si Carlton Weekly, i njohur si reperi FBG Duck i Çikagos dhe kanë mbetur të plagosur rëndë edhe dy persona të tjerë.

Rruga “East Oak”, e njohur zakonisht për blerjet më të shtrenjta të Çikagos, u shndërrua në një skenë krimi të martën. Dëshmitarët okularë thanë se ishin katër persona që dolën papritur nga dy automjete dhe qëlluan drejt blerësve në trotuar.

Në deklaratën e policisë të martën në mbrëmje, u tha se 26-vjeçari, i cili u qëllua në gjoks, kokë dhe në brinjë, u transportua në Spitalin Veriperëndimor, por nuk arriti dot t’u mbijetonte plagëve të marra.

"Një djalë nxori armën dhe filloi të qëllonte nga një distancë shumë e afërt",- tha një dëshmitar i ngjarjes.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave që çuan në vdekjen e 26-vjeçarit dhe plagosjen e dy të tjerëve, një 36-vjeçar dhe një 28-vjeçare – gjendja shëndetësore e të cilëve është e qëndrueshme dhe po mbahet nën kontroll.