Era e fortë dhe reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin në dy ditët e fundit kanë vijuar edhe gjatë orëve të kësaj të enjteje. Më të rrezikuara kanë qenë zonat bregdetare për shkak të erës që krijon dallgë të mëdha në det. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e shiut kanë bërë që shumë prej plazheve të boshatisen deri në përmirësim të situatës.

Plazhe si Ksamili, Himara dhe në përgjithësi vija bregdetare në jug, janë boshatisur dhe pushuesit kanë lënë çadrat. Ndërkohë që temperaturat kanë pësuar një rënie me 7 gradë Celsius. Kjo situatë, sipas sinoptikanëve, do të vijojë edhe ditën e nesërme.

Megjithatë, ata që janë me pushime nuk duhet të shqetësohen, pasi përmirësimi i motit do të vijë gradualisht. Fundjava do të jetë e përshtatshme për plazh.

Ndërsa ata që i kanë lënë pushimet për javën tjetër të gushtit apo për 15-ditëshin e dytë të këtij muaji, kohën do ta kenë në favor të tyre, me temperatura mbi 37 gradë Celsius.