Në "normalitetin e ri" që po jetojmë të gjithë për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, duket se një rol vendimtar po e luajnë moshat e reja! Është pikërisht kjo kategori e fundit që sipas specialistëve po kthehet në një rrezik potencial për shkak të grumbullimeve në vende publike, plazhe, bare, restorante, me një dozë le të themi papërgjegjshmërie të dukshme!

Duke iu referuar kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiriliu doli me një lutje dhe kërkesë publike për të gjithë të rinjtë, me statusin jo vetëm të ministres, por më së shumti, si nënë, si qytetare, si familjare dhe si vajzë e dy prindërve të moshuar. "Ju lutem si familjare, si nënë dhe si vajzë prindërish të moshuar: Bëni një “sakrificë” të vogël sot. Ua keni borxh prindërve dhe të afërmve", shkruan ajo në statusin e saj.

"Sa herë të dëgjoni deklarata të papërgjegjshme mbi ekzistencën e virusit, mendoni ju lutem për ata njerëz që po vuajnë në spital, për shkak se nuk mbushen dot me frymë, me virusin që u ka “pushtuar” mushkërinë. Mendoni pak për të afërmit, që presin me ankth për fatin e njerëzve të tyre të dashur.
Mendoni për gjithë ata mjekë, infermierë, në Spitalin Infektiv në QSUT dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, të cilët që prej marsit nuk po dallojnë më natën nga dita, e që nuk i shohin të afërmit, qysh kush e di se kur.

A është vërtet një sakrificë kaq e madhe, të heqësh dorë nga festat e mbipopulluara, nga vendgrumbullimet në plazhe dhe bare, pa distancim fizik dhe masa higjene? Vende që më pas shndërrohen në vatra, ku virusi përhapet me shpejtësi marramendëse?
A nuk ia vlen që edhe për ca kohë, të përshtatemi të gjithë bashkë me një normaliteti të ri, ku kryefjala është KUJDESI, HIGJENA, DISTANCIMI?

E kuptoj indiferencën e moshës, ndaj thirrjeve për një virus që nuk shihet me sy. Por kjo nuk e pengon që ai, virusi ta shndërrojë trupin tuaj në bartës, në rrugëtimin e vet drejt trupit të prindërve dhe të afërmve tuaj, të cilët, ndryshe nga ju, për shkak të moshës dhe imunitetit, mbase nuk do të ishin në gjendje ta përballonin sëmundjen. Ju lutem edhe si familjare, si nënë dhe si vajzë prindërish të moshuar: Bëni një “sakrificë” të vogël sot. Ua keni borxh prindërve dhe të afërmve"!