Këngëtari i njohur Ed Sheeran dhe bashkëshortja e tij, Cherry Seaborn, do të bëhen prindër për herë të parë. Madje, bebushi do të vijë në jetë shumë shpejt, pasi Cherry është në javët e fundit të shtatzënisë.

The Sun ka bërë të ditur lajmin e pritjes së ëmbël, duke konfirmuar se bebi do të lindë këtë verë.

Çifti ia doli ta mbante të fshehtë pjesën më të madhe të shtatzënisë, kjo për shkak të izolimit, por edhe si pasojë e natyrës së tyre shumë diskrete.

Sipas burimeve për tabloidin britanik, këngëtari i famshëm është jashtëzakonisht i lumtur me lajmin, që duket se ka ardhur fiks në kohën e duhur – disa muaj pasi Ed Sheeran njoftoi se do të bënte një shkëputje nga muzika. Tani mund t’i përkushtohet me kohë të plotë familjes!

“Ed dhe Cherry janë mbi hënë! Janë të emocionuar, por i kanë mbajtur gjërat shumë private. Ata po bëjnë përgatitjet e fundit në shtëpi, pasi bebi pritet të vijë në jetë këtë verë. Është një periudhë shumë e lumtur dhe familjet e tyre janë shumë të gëzuara për ta. Mezi po presin të njihen me pjesëtarin më të ri”, -kanë thënë burime për The Sun.

Çifti, të cilët kanë qenë shokë gjimnazi së bashku, filluan të dilnin bashkë në vitin 2015. Ndërsa në janar të 2018-ës njoftuan se ishin fejuar.