Mbajtja e detyruar e maskave apo puna nga shtëpia po e ndryshojnë tërësisht biznesin e kozmetikës ne vend. Shitjet për produktet e makijazhit dhe parfumeve janë përgjysmuar, ndërsa ato të kujdesit personal dhe detergjentëve u rritën 30%. Lyerja e flokëve po bëhet shumë edhe në shtëpi. Të dhënat e doganave për importet e parfumeve, produkteve të makijazhit e bojërave e konfirmojnë tendencën.

Nga Dorina Azo

Pandemia ndryshoi sjelljen e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dy muaj, shumica ishin të mbyllur në shtëpi. Edhe tani, shumë të punësuar kalojnë më shumë kohë në shtëpi, teksa punojnë online. Dasma, festa të tjera dhe party nuk ka më. Veshjet dhe stili i jetesës po orientohen gjithnjë e më shumë drejt prakticitetit. Maskat në ambientet e mbylluara janë tashmë me detyrim. Atëherë për çfarë duhet make-up, apo buzëkuqi?

Kjo stiatë ka riformatuar në mënyrë drastike raportin e blerjeve për produktet e bukurisë te shqiptarët. Nëse para COVID-19, shitjet në treg ishin të ndara 65% për produktet e make-up-it dhe 35% për ato të kujdesit personal dhe të pastrimit të shtëpisë, pas izolimit, ndryshoi tendenca e popullatës. Drejtoresha e Përgjithshme e Shitjeve në kompaninë “Farmasi Albania”, pohon për “Monitor” se aktualisht tregu ndahet: 65% e shitjeve janë për produktet e higjienës, kujdesit personal, detergjentët dhe 35-40% për ato të makijazhit.

Kjo tendencë konfirmohet dhe nga të dhënat zyrtare. Importet e produkteve të makijazhit kanë rënë me 6,5% me bazë vjetore për 6-mujorin, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Pas një ecurie me rritje dyshifrore për dy muajt e parë të vitit, tendenca ndryshoi tërësisht pas fillimit të karantinës. Rënia ishte mbi 30% në mars e prill dhe 19% në maj. Vetëm në qershor, pasi karantina përfundoi, importet e këtyre produkteve iu rikthyen rritjes prej 24%.

Marçela Kapo, nga “Farmasi Albania”, shpjegon se si ndryshoi tendenca e shitjeve pas karantinës. Në këtë periudhë ra përdorimi i produkteve për make-up, si kremi pudër, buzëkuqet, lapsat dhe parfumet etj., ndërsa u rrit ndjeshëm përdorimi i produkteve të kujdesit personal, siç janë shampot e flokëve dhe detergjentët e pastrimit të shtëpisë. Sipas drejtoreshës së shitjeve, dy janë arsyet e rënies së shitjes së produkteve të makijazhit: shfaqja e pasigurisë te konsumatori për shkak të pandemisë dhe mbajtja e maskës, që nuk e favorizon lyerjen e fytyrës dhe të buzëve.

“Deri në muajin prill, konsumatorët ende vazhdonin të blinin produktet për make-up, pasi mendonin se karantina do të përfundonte shpejt dhe do të riktheheshin në punë. Në këtë periudhë u aplikuan edhe oferta për çmimet. Rënia e shitjeve për këto produkte nisi në muajin maj. Pas hapjes së ekonomisë, u vu re se blerësit ndiheshin të pasigurt, se sa do të vazhdonte pandemia.

Shitja e buzëkuqeve, pësoi reduktimin më të lartë në krahasim me një vit më parë. Mendoj se për këtë ndikon edhe mbajtja e maskës. Edhe kremi pudër i lehtë mbulues që është best seller në stinën e verës, aktualisht ka rënie të konsiderueshme. Në muajin korrik, kremi pudër që përdoret për make-up, shënoi rritje të lehtë, pra mund të thuhet që po e rimerr veten”.

Pandemia dhe shtimi i numrave ndikoi te rritja e shitjeve të produkteve të kujdesit personal me rreth 30% në krahasim me një vit më parë për kompaninë “Farmasi”. “Më tepër te produktet e kujdesit personal po shiten shampot për flokët, trupin, sapuni i lëngshëm për duart dhe kremrat e trupit. Rritja më e lartë e shitjeve është te detergjentët e pastrimit të shtëpisë, sidomos për larjen e dyshemeve, parketeve dhe anti-grasatorëve.

Parashikojmë që shitjet për linjën e detergjentëve dhe të kujdesit personal të rriten edhe në muajt në vazhdim. Për këtë arsye, edhe ofertat e kompanisë janë të fokusuara te këto produkte”. Parashikimet për shitjet e këtyre produkteve mbeten optimiste, edhe nëse do të ketë një mbyllje tjetër të ekonomisë në muajin shtator.

Me maskë, pse duhet buzëkuqi!

Shitja e buzëkuqeve, pësoi reduktimin më të lartë në krahasim me një vit më parë. Mendoj se për këtë ndikon edhe mbajtja e maskës. Edhe kremi pudër i lehtë mbulues që është best seller në stinën e verës, aktualisht ka rënie të konsiderueshme.

Burimi:Monitor