Treni i historisë shqiptare ka ecur në linja hekurudhore të sigurisë së ulët, të ndrydhura në besueshmëri, të kalbura në vjetërsi, të cënuara në investim, të atakuara pa kursim nga të huajt, por i rezistoi kilometrave strapacuese të nevojshme për t’u ndalur në stacione jetike. Në vagonët e së shkuarës, sot shfletoj faqet e një kapitulli kryevepër. Në 1920, Kongresi i Lushnjes ngriti siparin e punimeve për të direksionuar ngërçin politik të kohës e organet ekzekutive qëndrore që rrodhën u lokalizuan në Tiranë, qytetin ku pavetëdijshëm po vulosej historia. Mes ecejakeve çoroditëse që ishin pushim milimetrik i një vrapi të furishëm emocionesh, drithërimash, sfidash, brengash e pezmatimi për produktin final të dalë prej një makinerie vendimesh të një takimi krejt të pazakontë, sytë e trembur të 50 delegatëve ishin mjegull e domosdo për konkludimin e kristaltë që do të rezultonte. Pak ditë pasuan e me bindshmëri absolute, njëzëri, besimplotë, Tirana u zgjodh të zgjohej si kryeqytet i Shqipërisë. Një momentum historik për qytetin më fantastik në botë! Kushdo që valvit flamurin e rastësisë e beson se Tirana nuk depërtoi sitën selektive të Kongresit, por u zgjodh me bingon e fatit apo nën hije të errëta favorizuese është qartësisht i gabuar. Pozicioni strategjik, hapësira territoriale, bukuria e brishtë ishin bekimet e natyrës për Tiranën, qytetin që arsyeja artificiale s’mund ta mohojë. Tirana, denjësisht kryeqytet meritokratik!

Prej atij tik-taku e në vijim, epiqendra e kuqezive s‘do të njihte më regres, ndoshta lidershipi joadekuat do të sprovonte stanjacionin ekonomik të qytetit, por asnjëherë notimin në ujërat e trazuar të kthimit në breg. Anija e zhvillimit të Tiranës ishte orientuar sipas busullës së një metropoli, kapitenët garonin çdo 4 vjet për timonin e drejtimit të duhur, por paçka se ngjyrimet partiake mund të ishin arkitektë të shëmtuar asgjë s’mundi t’ia venisë shkëlqimin filizit të shpresës së shqiptarëve. Tirana po rritej, po zhvillohej, po ndërtonte oportunitetet e së nesërmes, po themelonte standard jetese, po rrëmbente sytë e kujtdo, prej Vermoshit në Konispol ishte marshim aspirate. Mijëra ëndrra që vizatoheshin në çdo cep të viseve shqiptare, mund ta njihnin ekuivalenten në 3D vetëm në Tiranë, aty ku jeta ishte art. Rrugicat e zhurmshme të qytetit vlonin nga energjia për reformim, kudo shihej inagurimi i një biznesi si dritare për progres, fuqia punëtore po shtohej, asnjë stuhi s’mund t’ia errësonte Tiranës panoramën progresiste, përkëdhelja politike ishte shtysë e jo vulë moderniste, sepse Tirana  mund të reformohej edhe pa pagëzimin si kryeqytetet, vendasit ishin gjeneratorë e ushtarë të urdhëruar të punës. Tirana u lind si qytet madhështor në më të zakonshmin detaj, e pasfidueshme në bukurinë e paprekshme të natyrës, kryelartë për bujarinë e pandeshur të bijëve autoktonë të saj, dekretim i unitetit të diversitetit kombëtar.

Autoktonët e kryeqytetit, tironsit e vjetër janë mishërim superlativ vlerash, bërthamë e elitës rajonale, buzagaz iu hapën dyert të gjithëve pa diferencim, nuk e ngrysën buzëqeshjen kur në sofrën tironse u ulën miqtë nga e gjithë Shqipëria, as ulëritën dhimbjen kur padrejtësisht i morën pronën, i rrëmbyen çdokujt vuajtjen e i dhuruan shpresën. Tironsit s’u stepën kurrë ta bënin interesin vetjak të përbashkët, torta e emancipimit kryeqytetas u copëtua njësoj për këdo, asnjëherë s’ankimuan problematikat e mbipopullimit, i qeshën lojës së fatit dhe u bindën me të njëjtat kushte pa avantazh përkatësie, dëshmuan se bujaria e mirësia me tepricë s’të varfërojnë, në folenë e tyre strehuan këdo që trishtimi i lexohej në sy. Tironsit jane ajka, elita, etaloni i sferës intelektuale, esenca e pavdekshme e Shqipërisë! Historia, e tashmja, e ardhmja janë zëdhënës kontributi për ta, biletë lavdie për humanizmin heroik, shpagim i pamjaftueshëm.

Gëzuar ditëlindjen e 100-të, Tirona e zemrës, perla e pashtershme e Ballkanit! Gëzuar për 100 vitet e triumfit si bekim i shqiptarëve! Modesisht shkruaj për tokën e ëndrrave të atdheut tim, sepse për ajkën që gjeneron puls progresi në arterien më të largët të vendit, s‘është asnjëherë mjaftueshëm. Për çdo frymë që ushqen pa kursim, ty Tironë të jemi borxhlinj. Ti je rrahje zemre që jeton në çdo cep të së nesërmes, je potencial inspirimi, në unison thirret bindja e palëkundur se rrënjët e dheut tënd bekojnë ëndrrat që ndezin flakën e shpresës. Je e përjetshme Tironë, je jehonë që kumbon nga veriu në jug, je detyrim që s’kompensohet, je “Noltmodhnia” e vetme që zemra pranon. Tironë, do të të dua derisa sytë të mos më shohin as agim, as perëndim!